Patushi e Abilaliaj, qëndrimi në pikëpyetje
Priteshin largime. Në momente të caktuara u mendua edhe për "furtunë". Megjithatë, Tirana ka vendosur t‘i besojë kontingjentit që i dhuroi klubit titullin e 24-t kampion: dje në mesditë, trajneri Ilija Lonçareviç ka publikuar skuadrën për sezonin e ri, duke lënë pak pikëpyetje. Të vetmit në dyshim janë mesfushori Saimir Patushi dhe sulmuesi Arbër Abilaliaj, ndërsa përgjigjja përfundimtare mungon për Çelikun, i cili vazhdon periudhën e provës. Në portë konfirmohen Nallbani e Korunovski, në mbrojtje Lilës, Dabullës, Abrahamit, Osmanit e Pashajt i shtohet edhe lojtari i Shpresës, Ditmar Bici. Në mesfushë konfirmohen Devolli, Mohelebi, Sefa e Muzaka, ndërsa në sulmin bardheblu, përveç Mukës e Memellit (në huazim deri në dhjetor) bie në sy afrimi i ish-lojtarit të Partizanit, Enco Malindi.