Paulin Dhëmbi firmos për Vllazninë
Dje në drekë, në zyrën e presidentit të klubit shkodran Valter Fushaj ka mbërritur ish futbollisti i Partizanit, Paulin Dhëmbi. I shoqëruar nga menaxheri i tij Tami Kona, ata, siç ishte bërë e ditur, janë ulur në tavolinën e bisedimeve thjesht për të firmosur kontratën e re, pasi çdo detaj i saj ishte mbyllur që dy net më parë. Lojtari është dukur i kënaqur pas hedhjes së firmës, teksa tani e tutje do të luajë për VllazninëMe këtë skuadër pati tentuar të luante edhe tri sezone më parë, por atëherë ajo mbeti vetëm tentativë. Korçari ka firmosur një kontratë 1+1 me kuqeblutë dhe pritet që sot të jetë në dispozicion të trajnerit Canaj, që e konsideron një alternativë shumë të rëndësishme për formacion që në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Tiranës. Fakti që Dhëmbi luan si organizator do të thotë që ai do të plotësojë boshllëkun që ka ekzistuar prej kohësh te kjo skuadër në këtë post. Ndërkohë, sot pritet të mbërrijë në Shkodër edhe një tjetër mesfushor, ganezi Mohemed.