E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, Topi: Të përsosim modelin e shtetit

TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi celi në pallatin e Brigadave ceremoninë për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku marrin pjesë kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Topi e cilësoi ditën e sotme si ditën e hyrjes në një vit jubilar që është ai i 100-vjetorit të shtetit shqiptar, duke e cilësuar atë si ngjarjen më të madhe historike të shtetit dhe kombit shqiptar. Presidenti apeloi të ndreqen gabimet e së kaluarës dhe të përsoset modeli shtetëror. Topi vlerësoi gjithashtu nisjen e dialogut politik.

"Referuar aktualitetit politik, gjatë këtij viti u shënua progres, sidomos në rritjen e angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare e civile në proces zgjedhor dhe në debatet publike. Krahas tyre, u harxhuan energji të pafundme në një debat politik joproduktiv, duke vendosur pa të drejtë, axhenda paralele partiake mbi ato publike e kombëtare. Ditët dhe javët e fundit politika është kthyer përsëri në institucione dhe në tryezën e dialogut. Shpresa dhe inkurajimi im, ashtu si e shumicës qytetare në këtë vend, është që arsyeja dhe përgjegjësia të dominojë mbi çdo interes tjetër politik, për t’i dhënë shoqërisë dhe shtetit shqiptar, pa vonesë dhe me cilësinë e duhur, reformat, klimën dhe rezultatet e duhura, që sigurojnë standardet e integrimit në Bashkimin Evropian. Sot ne nisim festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një rast i mirë për të bërë brenda nesh një bilanc politik, për të mësuar nga gabimet e të kaluarës dhe për të fituar kthjelltësinë e duhur për ecje më të shpejtë përpara. Unë besoj se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë shtetit shqiptar në 100-vjetorin e tij është të punojnë me të gjitha energjitë për ta përsosur modelin shtetëror drejt atij niveli për të cilin janë sakrifikuar themeluesit dhe më shumë se pesë breza gjatë një shekulli ”, tha Topi.

Presidenti Topi, tha se sot është bërë realitet ëndrra evropiane e shqiptarëve, e cila sipas tij do të finalizohet me marrjen e statusit kandidat për në BE.
“Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti; ajo ka një pozitë gjeografike të admirueshme, një popull të ri në moshë dhe me energji të mëdha, ka potenciale ekonomike e turistike, traditë kulturore dhe lidhje të forta historike me trashëgiminë evropiane, ka aspirata të qarta në ecjen përpara dhe në çdo kohë, sjellje paqësore e bashkëpunimi me të gjithë fqinjët në rajon. Atdheu i Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës nuk mund të kishte destinacion tjetër përveç ribashkimit të plotë me Evropën dhe qytetërimin e saj. Njëzet vjet më parë ëndrra evropiane ishte vetëm aspiratë, sot ajo është realitet. Shqipëria është anëtare në NATO, është një vend me mbështetjen më të lartë qytetare për aspiratat integruese në Bashkimin Evropian dhe një partner serioz i bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për përhapjen e demokracisë dhe të paqes në rajone të ndryshme të botës”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Kreu i shtetit gjeti rastin të uronte shqiptarët kudo që ndodhen, për këtë festë të shënuar. “Gjej rastin gjithashtu që në këtë 28 Nëntor të përshëndes dhe të uroj përzemërsisht për Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë, të gjithë shqiptarët kudo që ndodhën, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo që ata ndodhen në Evropë, në SHBA dhe në botë. Duke besuar fort tek një e ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, tek forcat dhe energjitë tona drejt integrimit të plotë evropian, tek vitaliteti dhe përgjegjësia për të punuar çdo ditë për begatinë, mirëqënien dhe pavarësinë demokratike të individit, familjes dhe të shoqërisë, tek vizioni e përkushtimi për të forcuar klimën e miqësisë, bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, kam kënaqësinë t’u drejtohem të gjithë të pranishmëve dhe përmes jush, të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Festën tonë Kombëtare! Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit! Nderim për Ditën e Çlirimit! Zoti i bekoftë dhe e ndriçoftë rrugën e Shqipërisë dhe shqiptarëve!”
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha çel vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›