Pranimi i Maqedonisë në BE, Gruevski letër Papadhimos
ATHINE - Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski i ka dërguar një letër kryeministrit grek Lukas Papadhimos, në atmosferën e hapjes së negociatave mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.
Gruevski në letrën e tij thekson nevojën për zgjerimin e BE me vendet e Evropës Juglindore, duke theksuar se në bazë të reformave që ka bërë vendi, Komisioni Europian për të tretin vit radhazi, sugjeron hapjen e negociatave midis BE dhe Maqedonisë.
Kryeministri i Maqedonisë e ndërmerr këtë nismë, pasi Greqia është anëtari më i vjetër i vendeve të BE në rajon dhe ka marrë iniciativën për "Axhenda 2014", që mbështet politikën e zgjerimit të BE për vendet e Ballkanit.
"Në këtë kontekst," thotë z. Gruevski në letrën drejtuar homologut grek Papadhimos, "Greqia mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare në rifillimin e procedurave për pranimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE."
"Mbështetja juaj për hapjen e negociatave për anëtarësim, do të kontribuojë në dinamikën e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit," thotë Gruevski në letrën drejtuar Papadhimos.
Gruevski vëren më tej se hapja e negociatave për anëtarësim të vendit të tij në BE mund të kontribuojë pozitivisht për të kapërcyer "dallimet bilaterale" në mes të një vendi anëtar të BE-së dhe një kandidati për anëtarësim në këtë union.
"Unë jam i bindur që dy vendet tona mund të zbatojnë këtë model pozitiv" shton Gruevski dhe thekson se një zhvillim i tillë "do të kontribuojë për të ndërtuar besimin reciprok, i cili është i nevojshëm për të zgjidhur kontestet bilaterale mes dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit evropian".
Kryeministri i Maqedonisë sugjeron që paralelisht të vazhdojnë edhe negociatat për një zgjidhje të çështjes së emrit.
"Unë, edhe një herë bëj apel për qeverinë tuaj, e cila gëzon mbështetje të gjerë, ta shfytëzojnë këtë mundësi unike për të mbështetur negociatat e pranimit në Këshillin Evropian në dhjetor, dhe për të rritur përfitimet nga procesi i zgjerimit në rajonin tonë", përfundon z. Gruevski në letrën e tij drejtuar kryeministrit grek.