Pavarësia e Kosovës, GJND nis shqyrtimin e legjitimitetit

Çështja e legjitimitet të shpalljes së Pavarësisë së Kosovë sot fillon shqyrtimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Procedimet do të fillojnë me seanca dëgjimore me argumenta pro dhe kundër shpalljes së Pavarësisë. Seancat dwgjimore pritet tw zgjasin 10 ditë. Në seancat dëgjimore, të dyja palët Kosova dhe Serbia pritet të ofrojnë argumentet e tyre për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Në orët e mëngjesit, autoritetet e Serbisë, do të kenë tri orë për të paraqitur rastin e tyre para Gjykatës. Ndërkohë pasdite zyrtarët e Kosovës, do të kenë po aq kohë për të ofruar qëndrimin e tyre për pavarësinë.Mbi 30 vende të botës, kanë paraqitur kërkesat e tyre për të ofruar argmentet pro dhe kundër ligjshmërisë së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nga të cilat një numër më i madh në favor të Prishtinës zyrtare. Autoritetet në Beograd kanë deklaruar se e drejta ndërkombëtare dhe drejtësia qëndron në anën e tyre dhe e kanë cilësuar gjykimin në Hagë si "betejën më të rëndësishme juridike dhe diplomatike në luftë për Kosovën". Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç tha të hënën se Serbia priste 'një betejë të gjatë e të vështirë' në procesin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në GJND. Por udhëheqësit politikë të Kosovës thonë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk mund të marrë një vendim që do të binte ndesh me vullnetin politik të popullit të Kosovës. Sipas tyre e drejta qëndron në anën e Prishtinës, e cila, thonë ata, do të arrijë të argumentojë se ajo nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e Serbisë. Seancat dëgjimore do të zgjasin deri në 11 dhjetor, megjithëse rasti i Kosovës përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë thuhet se do të mund të shqyrtohet për muaj të tërë. Një vendim i Gjykatës që do të përligjte pavarësinë e Kosovës, do të mund të çonte drejt njohjeve të reja, megjithëse deri tani janë 63 shtete që e kanë pranuar Kosovën si shtet. Por autoritetet serbe thonë se në rast të një vendimi në favour të Serbisë, ata do të ishin gatshëm për një raund të ri negociatash për të gjetur një zgjidhje që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët.