Pavaresia e Kosoves, Shqiperia ne feste
Shqiptaret vershuan neper rruget e Shqiperise me flamujt kuqezi dhe festuan shpalljen e Pavaresise se Kosoves, kur Kryeministri kosovar, Hashim Thaci, deklaroi se “Kosova eshte Republike e lire dhe sovrane”. Ne Tirane, Durres, Vlore, Shkoder, Kukes, Elbasan, Gjirokaster, Fier etj., qytetaret sfiduan temperaturat e uleta dhe gezuan se bashku “Diten e madhe” per vellezerit e tyre kosovare. Ne qytetin e Vlores, qytetaret u mblodhen ne nje miting madheshtor ne Sheshin e Flamurit, nen moton “Vlora e Pavaresise per Pavaresine e Kosoves”. Bashkia e ketij qyteti e kishte konceptuar kete dite si nje parade te vertete, me shfaqje e koncerte.
Ne Durres, disa qindra qytetare se bashku me autoritetet e pushtetit vendor, priten shpalljen e pavaresise se Kosoves ne mjediset e Pallatit te Kultures “Aleksander Moisiu”. Ata ndoqen permes nje ekrani te madh seancen e jashtezakonshme te Kuvendit te Kosoves, ndersa shperthyen ne brohoritje dhe duartrokitje kur u lexua deklarata qe shpalli keto troje te pavarura. Veprimtari festive u organizuan dhe ne fshatrat e komunave Rrashbull dhe Katund i Ri, ku banojne rreth 20 mije kosovare, familjet e te cileve jane shperngulur ne Shqiperi te debuar nga serbet ne periudhen mes dy lufterave boterore.
Banoret e Gjirokastres dolen ne rrugen kryesore te lagjes “18 Shtatori” dhe kenduan e kercyen se bashku kenge patriotike. Flamur Bime, kryetari i Bashkise se qytetit te Gjirokastres, e ka cilesuar Pavaresine e Kosoves si fundi i nje padrejtesie afro njeshekullore. Ne qytetin e Elbasanit ne nderim te kesaj dite per Kosoven, kryebashkiaku Qazim Sejdini dhe drejtues te pushtetit lokal ngriten flamurin Kombetar, ne krah te monumentit te Aqif Pashes. Shpallja e pavaresise u prit me emocione te papershkrueshme nga komuniteti kosovar qe jeton ne lagjen “Fushe Mbret” prej viteve ‘30. Flamuri Kombetar u ngrit dhe ne qytetin e Korces, prane monumentit te “Luftetarit Kombetar”. Shpallja e Pavaresise se Kosoves u prit me entuziazem te madh dhe ne qytetin verior te Shkodres, ku flamuri u ngrit ne keshtjellen “Rozafat”.
I njejti entuziazem mbizoteroi dhe ne qarkun verilindor te Kukesit. Dhjetera familje te kesaj zone udhetuan ne drejtim te Kosoves per te festuar se bashku me vellezerit e tyre kete dite te shumepritur.