PD në mbrojtje të banorëve/“PS, sulme diktatoriale ndaj familjeve që jetojnë në ambientet e ish-markatës”
Ish-markata tek “Ali Demi” në proces privatizimi, askush nuk do t’i nxjerrë banorët nga ndërtesa
Partia Demokratike garanton banorët në ambientet e ish-markatës së vjetër në zonën e “Ali Demit”, se askush nuk do t’i nxjerrë ata nga shtëpitë e tyre dhe se godina është në proces privatizimi. Reagimi i deputetit Mima vjen pas akuzave të Partisë Socialiste.
“Këta njerëz që kam në krahë, para dy ditësh janë kërcënuar nga Partia Socialiste, trashëgimtare e Partisë së Punës, nga bijtë e etërve që dikur i vranë dhe i pushkatuan, se duhet urgjent të braktisin objektin. Këto ditë qeveria shqiptare ka marrë një vendim që i bën nder asaj, i bën nder shtresës së të persekutuarve që ky objekt të kalojë në fond banese, për t’u privatizuar më vonë nga familjet që banojnë në të. Jam këtu si deputet i zonës, për të qetësuar banorët dhe për t’i garantuar që asgjë s’do ndodhë, askush s’mund të dalë mbi ligjin dhe t’i kërcënojë ata për t’i nxjerrë jashtë nga objekti ku banojnë”, u shpreh Mima.
PD reagoi dje pas akuzave të PS-së lidhur me procesin e privatizimit dhe nismës së saj për të nxjerrë jashtë ndërtesës ku banojnë aktualisht dhjetëra familje ish të persekutuara nga regjimi i mëparshëm.
Qeveria demokratike, garanton të gjithë familjarët që banojnë në ish ambientet e ish markatës së vjetër në zonën e “Ali Demit”, se do mbrojë të drejtat e tyre dhe se ndërtesa do shkojë drejt privatizimit, proces nga i cili do përfitojnë familjet aktuale që jetojnë në atë ndërtesë.