E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës në Hagë, Serbia merr fjalën e para

BEOGRAD- Serbia do të marrë fjalën e para në gjyqin që do të zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga Gjykata e Hagës. Gjyqi i kërkuar nga Serbia dhe i mbështetur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, për të shqyrtuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës do të nisë në 1 dhjetor ndërsa seancat dëgjimore do të zgjatin 9 ditë. Gjykata ndërkombëtare bëri të ditur se në seancat dëgjimore do të marrin fjalën përfaqësues të 30 shteteve si dhe autorët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra qeveria e Kosovës.
Aktualisht Prishtina zyrtare dhe beogradi kanë depozituar një dokumentacion të hollësishëm e argumentet e tyre për pavarësinë e Kosovës. Edhe shtetet e tjera pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës kanë paraqitur argumentat e tyre me shkrim.
Serbia pretendon që Gjykata e Hagës të deklarohet se pavarësia e Kosovës ka shkelur ligjet ndërkombëtare. Gjykatës do ti duhen disa muaj për të dhënë vendimin por ekspertët thonë se gjyqi do të zgjatë gati 2 vjet. Vendimi që do të marrë gjykata nuk ka fuqi detyruese për asnjërën palë dhe nuk zhbën pavarësinë e Kosovës. Gjykata do të japë vetëm një opinion për këtë cështje dhe ky opinion mund të ndikojë tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos e hedhin këtë hap.
Kosova, e cila u vetëshpall e pavarur në 17 shkurt 2008 njihet aktualisht nga 62 vende të botës. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›