E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare

Berlin -Profesori gjerman i të drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, Christian Tomuschat mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndonëse për këtë çështje – sipas tij – në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të ketë debate të hidhura.

“Do të ketë vende të cilat mendojnë se janë shkelur të drejtat e Republikës së Serbisë, si shtet i pavarur dhe sovran”, ka vlerësuar Tomuschat në një intervistë për Radion Deutsche Welle.

Tomuschat është i mendimit se pyetja e parashtruar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë - nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte apo jo në përputhje me të drejtën ndërkombëtare - nuk është shtruar si duhet, sepse sipas tij, secili grup etnik mund të shpallë pavarësinë. Pyetja e vërtetë, vlerësoi ai, do të ishte: A kanë vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Sidoqoftë, profesori Tomuschat mendon se njohja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Nuk e besoj se rrota e historisë mund të kthehet mbrapa. Shqiptarët e Kosovës e kanë pasur të drejtën e shpalljes së pavarësisë dhe shkëputjes nga Serbia, për shkak se Serbia i ka trajtuar ata në mënyrë jashtëzakonisht të keqe”, ka thënë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›