Pavarësia e Kosovës "realitet jetësor"

“Kosova është shtet i pavarur dhe pavarësinë e saj e kanë pranuar shumë shtete, përfshirë shumicën e vendeve të BE-së”, ka thënë Krichbaum para gazetarëve në Beograd, ku ka udhëhequr delegacionin gjerman në një takim me kryetarin e Beogradit Dragan Xhilas.
Krichbaum, që është deputet i CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel, ka thënë se do të ishte shumë ambicioze që të pritet që Serbia ta marrë datën për bisedime me BE-në deri në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Deputeti gjerman ka thënë se duhet të zhvillohet një dialog i hapur dhe i sinqertë mes Kosovës e Serbisë, dhe se Gjermania dëshiron raporte të mira fqinjësore mes të gjitha vendeve në rajon.
“Mendojmë se bisedimet e detajizuara dhe të sinqerta mes Kosovës dhe Serbisë do të mundësonin një jetë më të mirë për qytetarët. Vetëm para disa muajsh kemi parë sulmin ndaj ushtarëve të kontingjentit austriak dhe gjerman. Kjo nuk është ajo çka nënkuptojmë me atmosferë paqësore", ka thënë Krichbaum.
Ai ka potencuar se duhet hetuar sulmi ndaj Ambasadës Gjermane në Serbi në shkurt të 2008-ës pas protestave kundër pavarësisë së Kosovës. (REL)