Pavarësia e Kosovës, serbët e Malit të Zi në protestë
Serbët e Malit të Zi ngrihen në protesta dhe sulmojnë institucionet shtetërore pas vendimi për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në orën 19.00, në sheshin para ndërtesës së parlamentit të Malit të Zi, në Podgoricë, opozita pro serbe ka nisur tubimin e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga qeveria e Malit të Zi. Popullsia serbe që jeton kryesisht në Podgoricë e rrethinat e saj, me shenja nacionaliste dhe flamuj serb e rus, janë mbledhur para tribunës së ngritur për këtë qëllim. Kanë qenë deputetë e politikanë të popullsisë serbe që jetojnë në Mal të Zi, ato që kanë folur duke nxitur ndjenjat nacionaliste të turmës dhe duke u bërë thirrje për një referendum kundër kryeministrit Gjukanoviç. Turma, përveç thirrjeve e sharjeve në drejtim të kryeministrit malazez,ka thirrur dhe “Kosova është Serbi”. Policia malazeze është në gatishmëri të plotë dhe mban në mbikëqyrje tubimin, nisur kjo dhe nga rasti i fundit i një proteste të ngjashme të ndodhur në mars të këtij viti, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku serbët e Malit të Zi, pas tubimit shkaktuan dhe përleshje me policinë. Lidhur me protestën e djeshme të serbëve të Malit të Zi, të cilët përbëjnë rreth 32 % të popullsisë së këtij vendi, ministri i popujve në pakicë në Mal të Zi, Fuat Nimani, ka theksuar se këto protesta nuk do të kenë pasoja për shqiptarët në Mal të Zi si dhe për qeverinë e këtij vendi. Nimani ka theksuar se vendimi i qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës ka qenë unanim dhe pse ka tendenca për ndikim të Beogradit në politikën e këtij vendi tashmë të pavarur. “Serbia duhet ta ketë të qartë se Kosova po funksionon si shtet dhe kjo është një realitet, sepse historia ecën përpara”. Ndërkaq nuk do ketë asnjë problem përsa i përket kërkesës së opozitës, dhe qëllimeve të tyre për rrëzimin e qeverisë dhe marrjen e pushtetit,”- ka thënë Nimani, i cili dje ndodhej në Shkodër për hapjen e vitit akademik në universitetin e këtij qyteti. Gjithashtu Nimani ka thënë se fatkeqësisht ka edhe disa parti shqiptare në Mal të Zi, qëkanë hyrë ne koalicion zgjedhor në zgjedhjet e fundit për President me partitë opozitare dhe kane përkrahur kandidatin e Partisë për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, që njihet për proserb dhe që është shprehur se Kosova është pjesë e Serbisë dhe zgjidhja e vendimeve për Kosovën duhet të merret ne Beograd dhe jo në Prishtinë. Në mitingun e opozitës malazeze proserbe të zhvilluar në Podgoricë është kërkuar ngrirja e vendimit të qeverisë për njohjen e pavarësisë së Malit të Zi. Të dhënat zyrtare flasin për rreth 10 mijë protestues, të gjithë me origjinë serbe. Policia i ka sulmuar ata me gaz lotësjellës për ti parandaluar që të godisnin kryeministrinë.