E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presheva, tetë vjet ende e paintegruar në Serbi

Intervistë me ish shefin politik të UÇPMB-së Jonuz Musliu, tetë vjet pas daljes në skenë të UÇPMB-së dhe shtatë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Paqes në Konçul të Bujanocit

Ish-shefi politik i UÇPMB-së(Ushtria Çlirimtare e Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) Jonuz Musliu, aktualisht kryen detyrën e Kryetarit të Asamblesë Komunale të komunës së Bujanocit. Tetë vjet pas daljes në skenë të UÇPMB-së dhe shtatë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqesnë Konçul, ish-drejtuesi politik i UÇPMB-së thotë se përfshirja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në jetën institucionale në Serbi edhe pas gati 8 vjetësh, është e ngadalshme dhe e mundimshme, ku kërkesat legjitime të shqiptarëve etnikë, vazhdimisht injorohen, përbuzen dhe heshten, thjesht për motive politike. “Marrëveshja e paqes në Konçul, me 21 maj 2001, nuk po përmbushet në praktikë, mosimplementimi i saj i garantuar nga faktorët ndërkombëtarë, paralajmëron kthimin në gjendjen e mëparshme. Sigurimi dhe garantimi i lirive themelore dhe të drejtave individuale e kombëtare të shqiptarëve do të bëhet mbi bazën e dokumenteve relevante ndërkombëtare. Të gjitha konstestet mund dhe duhet të zgjidhen me rrugë politike dhe dialog institucional, intensiv dhe transparent,” deklaron Jonuz Musliu. Sipas ish-shefit politik të UÇPMB-së në Komunën e Bujanocit vazhdon arrestimi i shqiptarëve të UÇPMB-së, të cilët vetë Qeveria serbe i pati amnistuar. Ndërkohë që në hapësirat e Luginës së Preshevës, vazhdon të mbetet i përqendruar një numër i madh i forcave policore ushtarake serbe, sidomos afër vendbanimeve shqiptare që shtrihen përgjatë kufirit administrativ me Kosovën. Musliu thotë se si gjatë mandatit të parë të pushtetit lokal, gjithashtu edhe gjatë mandatit të dytë, pas zgjedhjeve të 2006-ës, pozita e ish-ushtarëve të UÇPMB-së, mbeti e pandryshuar. Ata sot paraqesin kategorinë më të rrezikuar të shoqërisë.Ashtu si të gjithë liderët e tjerë shqiptarë të Luginës së Preshevës edhe Jonuz Musliu ka të njëjtat pikëpamje për pozitën e shqiptareve të Luginës së Preshvës lidhur me Kosovën.“Edhe më tej ne përkrahim parimet e Grupit të Kontaktit dhe Pakon e Ahtisaarit, lidhur me Kosovën, nëse këto parime shkelen me ndonjë ndryshim eventual të kufijve, atëherë obligohemi të angazhohemi për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”, deklaron Jonuz Musliu.

Zoti Musliu, kanë kaluar më shumë se tetë vjet nga paraqitja publike e ish- UÇPMB-së, dhe shtatë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Paqes në Konçul. Si e vlerësoni tani gjendjen politike dhe të sigurisë në Luginën e Preshevës?

Gjendja politike dhe e sigurisë në Luginën e Preshevës edhe pas përfundimit të proceseve luftarake, po manifestohet me një varg periudhash sa të rënda aq edhe delikate për popullsinë shqiptare të këtij rajoni. Përfshirja e shqiptarëve në jetën institucionale në Serbi edhe pas gati 8 vjetësh, është i ngadalshëm dhe i mundimshëm. Kjo rrugë institucionale nuk po jep rezultate të kënaqshme përsai përket zgjidhjes politike të problemeve të grumbulluara me vite në këto hapësira të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Kërkesat legjitime të shqiptarëve etnikë, lëre që nuk merren në konsideratë nga organet komunale dhe ato shtetërore të Serbisë, por ato vazhdimisht injorohen, përbuzen dhe heshten, thjesht për motive politike. Një politikë e tillë diskriminuese ndaj shqiptarëve, solli frymën luftarake në këto hapësira, ku shqiptarët të mllefosur ngjeshën armët dhe u vunë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë, të nderit dhe dinjitetit të tyre.

Çfarëi motivoi shqiptarët t’i rrëmbejnë armët rreth UÇPMB-së. A nuk ishin mundësi që problemet e tyre t’i zgjidhnin përmes dialogut me qeverinë e Serbisë?

Dalja në skenë e UÇPMB-së, ishte rezultat i diskriminimit shumëvjeçar të popullsisë shqiptare nga pushteti serb. UÇPMB-ja e ngriti në shkallë të lartë internacionalizimin e çështjes shqiptare të kësaj ane. Veprimtaria e këtij formacioni ushtarak solli në këto vise monitoruesit ndërkombëtarë si dhe e sensibilizoi faktorin e brendshëm dhe të jashtëm për zgjidhjen e problemeve të hapura me të cilat ballafaqoheshin shqiptarët e Luginës së PreshevësDemobilizimi I UÇPMB-së mbylli kapitullin e periudhës së armatosur duke i´a lëshuar vendin proceseve politike. Me gjithë ngadalësimin e këtyre proceseve lufta politike për realizimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve vazhdon.

Sipas jush ku ka mbetur deklarata e demobilizimit të UÇPMB-së?

Që nga 1 marsi i vitit 2001, në Konçul të Bujanocit, pas një varg konsultimesh të subjekteve politiko-ushtarake të Luginës së Preshevës, u arrit të bëhet transparent platforma e delegacionit negociues shqiptar, për bisedime me palën serbe, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Më 12 mars 2001, u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, ndërsa me 7 maj u mor vendimi për çmilitarizimin e Lluçanit dhe Turisë. Marrëveshja e paqes në Konçul, me 21 maj 2001, nuk po përmbushet në praktikë, mosimplementimi i saj i garantuar nga faktorët ndërkombëtarë, paralajmëron kthimin në gjendjen e mëparshme. Sigurimi dhe garantimi i lirive themelore dhe të drejtave individuale e kombëtare të shqiptarëve do të bëhet mbi bazën e dokumenteve relevante ndërkombëtare. Të gjitha konstestet mund dhe duhet të zgjidhen me rrugë politike dhe dialog institucional, intensive dhe transparent. Akti i nënshkrimit të Deklaratës është në frymën e kërkesave tona të vazhdueshme se asnjë institucion, qoftë edhe ky i Trupit Koordinues, nuk mund të merret me zgjidhjen e problemit të shqiptarëve pa shqiptarë. Ndaj pjesëmarrjen në këtë institucion shtetëror të restauruar, e kuptojmë pranimin e përgjegjësive nga shqiptarët për t´i lëvizur gjërat nga vendi, të cilat kanë ngecur me mosgatishmërinë e Beogradit për një qasje serioze, për zgjidhjen e krizës në këto hapësira.

E megjithatë thuhet se rajoni ka mbetur sërish i militarizuar?

Periudha pas “relaksimit” të Zonës së Sigurisë Tokësore, nuk solli demilitarizimin e plotë të rajonit. Edhe pse gjendjen politike dhe të sigurisë e karakterizon zvogëlimi i incidenteve dhe ndërprerja e keqtrajtimit fizik të qytetarëve nga ana e policisë serbe, në Komunën e Bujanocit vazhdon arrestimi i ish-ushtarevetë UÇPMB-së, të cilët vetë Qeveria serbe i pati amnistuar. Gjithashtu, në hapësirat e Luginës së Preshevës, vazhdon të mbetet i përqendruar një numër i madh i forcave policore ushtarake serbe, sidomos afër vendbanimeve shqiptare që shtrihen përgjatë kufirit administrativ me Kosovën. Ndonëse gjatë kësaj periudhe me ndihmën e madhe të Bashkësisë Ndërkombëtare, pas demilitarizimit të UÇPMB-së është evituar mundësia e ndonjë konflikti të armatosur, mirëpo nuk janë eliminuar shkaqet që kanë sjellë krizën në këtë rajon.

Pas Nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në maj2001, cili ështëfati iish-ushtarëve të UÇPMB-së?

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, nuk janë integruar, përveçse një pjesë e vogël e tyre në policinë multietnike. Projekti i OSBE-së për formimin e policisë multietnike, por edhe për përfshirjen e shqiptarëve në institucionet e tjera lokale dhe shtetërore është një hap i rëndësishëm për integrimin e shqiptarëve, i cili po të realizohej, natyrisht se do të sillte frymën e stabilitetit të plotë në këto komuna të populluara nga shumica shqiptare. Largimi i të gjitha forcave policore-ushtarake serbe të angazhuara gjatë krizës në Luginën e Preshevës, dhe zëvendësimi i tyre me policinë multietnike, do të ndikonte shumë në ngritjen e masave të mirëbesimit në këto anë. Masat për krijimin e një ambienti të sigurt, të mirëbesimit ndëretnik të projekteve multietnike në rajonin e Luginës së Preshevës, nuk mund të realizohen vetëm me fjalë dhe me marrëveshje vetëm të firmosura në letër, por me angazhime të sinqerta dhe punë praktike. Të gjitha aktivitetet para, gjatë dhe pas periudhës së konflikteve të armatosura në këto vise janë bërë për demilitarizimin e rajonit e jo për militarizimin e sërishëm të tij. Në korrik të vitit 2002 shqiptarët e rajonit të Luginës së Preshevës dolën në zgjedhjet e parakohshme lokale. Këto zgjedhje në dallim nga ato të mëparshmet, ishin të një rëndësie të veçantë, meqë ato u monitoruan nga organizata të ndryshme ndërkombëtare si, OSBE-ja, ODIHR-I, CESIDI etj. Këto zgjedhje gjithashtu nga elektorati shqiptar, u quajtën historike, sepse për herë të parë në historinë e komunës së Bujanocit, shqiptarët arritën fitoren bindëse dhe se u vunë në qeverisje të pushtetit lokal. Rreth 45 mijë votues shqiptarë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, arritën të sigurojnë 64 këshilltarë në parlamentet lokale. Ata të pakënaqur nga regjimi të Millosheviçit, që zgjati jo më pak se 13 vjet, nga ky pushtet i ri, ata prisnin reforma në strukturat e organeve të vetëqeverisjes lokale. Ata kërkonin nga Beogradi që të korrigjohet nga politika e regjimit të dikurshëm në mënyrë që shqiptarët të integrohen në strukturat qeveritare, civile dhe ekonomike të vendit. Qytetarët shqiptarë prisnin, gjithashtu nga pushtetet lokale që ato të jenë më efikase, përgjegjëse dhe të afta për zgjidhjen e problemeve. Pushtetet lokale të kenë më shumë kompetenca, sepse në mungesë të tyre për shumë probleme duhet t’i drejtohen organeve republikane si ato të sferës së policisë, inspektorateve, kadastrës, ndërmarrjeve shtetërore etj. Si gjatë mandatit të parë të pushtetit lokal, gjithashtu edhe gjatë mandatit të dytë, pas zgjedhjeve të 2006-ës, pozita e ish-ushtarëve të UÇPMB-së, mbeti e pandryshuar. Ata sot paraqesin kategorinë më të rrezikuar të shoqërisë sonë. Këta të rinj, lëre se nuk u integruan në shoqëri, por ata u arrestuan dhe u burgosën si në Luginën e Preshevës ashtu edhe në Kosovë. Pra statusi i tyre është në gjendje të mjerueshme.

Si e shihni zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës tani pas Pavarësisë së Kosovës?

Zgjidhjene shoh nëfrymën e vullnetit të popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në bazë të marrëveshjeve shqiptare dhe deklaratës politike të këshilltarëve shqiptarë për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik, territorial dhe kushtetues. Ne edhe më tej përkrahim parimet e Grupit të Kontaktit dhe Pakon e Ahtisarit, lidhur me Statusin e Kosovës, por nëse këto parime shkelen, ashtu siç po kërkon presidenti Boris Tadiç për një ndarje të mundshme të Kosovës, atëherë obligohemi të angazhohemi për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›