Kuqezinjtë, të raskapitur në Portugali
U deshën gati shtatë orë që kombëtarja të mbërrinte në Portugali. Pas një udhëtimi vërtet të lodhshëm, kuqezinjtë gjetën strehë në qytetin e Guimaraesit, që ndodhet midis Oportos dhe Bragës, vendi ku do të luhet ndeshja eliminatore e grupit 1, Portugali Shqipëri. hoteli "De Guimaraes", i vendosur në zonën e vjetër të qytetit, pret me mirësjellje kuqezinjtë, që do të qëndrojnë aty për tri ditë. Por gjëja më e bezdisshme për futbollistët ishte udhëtimi. Në orën 07:30 kombëtarja u largua nga hotel "Aeroport Budapest", pas mëngjesit të shpejtë dhe humorit të mirë, ku dallohej shkodrani Admir Teli. Në aeroport ka vonesa dhe nisja për në Portugali bëhet në 10:30. Kjo kohë pushimi në aeroportin e Budapestit u shfrytëzua nga lojtarët për të bërë "shopping". Udhëtimi me avion nga kryeqyteti hungarez deri në Oporto zgjati plot katër orë. "A thua sikur do vemi në Kinë, akoma s'kemi mbërritur,"shpreheshin lojtarët. Disa prej tyre mundohen të flenë, ndërsa disa të tjerë kanë gjetur momentin për të bërë shaka. Ora duket sikur nuk po ecën. Edhe trajneri Ari Han bën një sy gjumë, por të qeshurat e futbollistëve e çojnë shpejt. Kuqezinjtë japin e marrin, teksa nga bezdia e këtij udhëtimi fillojnë të hapin kompjuterat dhe të dëgjojnë muzikë. Midis presidentit të FSHF së, Armand Duka, dhe lojtarëve ka batuta. Ato janë rreth vendeve ku janë ulur futbollistët në avion, pasi çarteri nuk ishte i mbushur. Më "i thumbuari" është Edmond Kapllani. Gjithsesi, avioni ulet në Oporto. Nga lart dukej se në qytetin portugez po binte shi, por kur zbret temperatura ishte 20 gradë dhe me një diell të fortë. Tamam si një kohë plazhi, aq më tepër që Oporto është një qytet bregdetar. Vendi ku kuqezinjtë do të sistemoheshin është 45 minuta larg nga aeroporti. Kur futesh në qytet, Guimaraesi të jep përshtypjen sikur je në Shqipëri, madje edhe pallatet anës rrugës ngjasojnë shumë. Dikush në ambientin kuqezi e krahasoi me hyrjen e Librazhdit. Megjithatë, koha nuk pret dhe pas stabilizimit në hotel, lojtarët ushqehen nxitimthi, sepse në orën 18:00 duhet të kryejnë stërvitjen e radhës. Qendra stërvitore është 5 km larg hotelit. Lojtarët duken të lodhur, por për trajnerin Ari Han stërvitja duhet bërë patjetër, pasi të mërkurën luhet ndeshja.
-------------------------------------------------------Hamdi Salihi, i gatshëm për Portugalinë
Stafi mjekësor i kuqezinjve ka bërë të ditur se sulmuesi Hamdi Salihi do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Portugalinë. Shkodrani është futur në stërvitje me grupin që të dielën dhe ka njëfarë përmirësimi. Gjithsesi, gjithçka është në dorë të trajnerit Ari Han, nëse sulmuesi do të aktivizohet apo jo. Ndërkohë, për sa u përket të dëmtuarëve të tjerë, vetëm sot do të vendoset, nëse mbrojtësi Kristi Vangjeli dhe mesfushori Jahmir Hyka do të jenë në përballjen e nesërme.