E Diel, 1 Nëntor 2026

Një kompani greke dhe zvicerane prezantojnë tek Kryeministri një projekt për të investuar në fushën e naftës në Shqipëri

Kryeministri ka pritur sot në zyrën e tij përfaqësues të kompanisë greke “LYNX” dhe kompanisë zvicerane “RIXO”, të cilët në bashkëpunim me njëri- tjetrin prezantuan interesin e tyre për të investuar në fushën e nxjerrjes, depozitimit dhe përpunimit të naftës, duke synuar tregun e brendshëm por edhe eksportin. Ky projekt, siç kanë deklaruar përfaqësuesit e kompanive, synon në përmirësimin dhe zgjerimin e strukturave ekzistuese si dhe në investime të tjera që mbyllin ciklin e përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.

Kryeministri, nga ana e tij, pasi iu prezantoi situatën e industrisë së naftës në vend dhe reformat e ndërmarra për zhvillim e shpejtë të saj, u bëri me dije përfaqësuesve të këtyre dy kompanive se interesi dhe projektet e tyre në këtë fushë përkojnë me procesin e privatizimit të ARMO-s, ndaj ato duhet të paraqiten dhe konsiderohen në garën që do të hapet së shpejti për privatizimin e kësaj kompanie. Kryeministri u shpreh gjithashtu se synimet e këtyre dy kompanive për investime të reja në Shqipëri janë të mirëpritura dhe të nxitura nga qeveria dhe strukturat e saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›