E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusët kërkojnë mbledhje urgjente të OKB

• Moska ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që sot, për t’i paraprirë deklaratës së njëanshme të pavarësisë së Kosovës e për të ndaluar shpalljen e saj. “Shpresoj që një takim i Këshillit të Sigurimit do të ndodhë sa më shpejt, brenda pak ditëve për këtë çështje”, tha i dërguari rus në trojkën e negociatave të fundit mes palëve, Aleksander Botsan Harçenko. Ideja e një mbledhjeje urgjente mbi Kosovën u propozua nga Serbia dhe u mbështet nga Rusia. Harçenko paralajmëroi se Rusia është një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, edhe sikur vendet të tjera ta hedhin këtë hap duke rënë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara që është miratuar për këtë konflikt. Liderët kosovarë kanë deklaruar se, shumë shpejt do të shpallin pavarësinë dhe nga burime anonime parashikohet që kjo ditë të jetë e diela, 17 shkurti. “Meqë ata po flasin që tani mjaft hapur për këtë deklaratë, Këshilli i Sigurimit duhet të hedhë hapat e tij”, u shpreh Harçenko. Sipas tij, nuk është një veprim i mirë shpallja e pavarësisë ndërkohë që ndërkombëtarët janë ende në bisedime për të zgjidhur këtë çështje. “Në takim edhe një herë ne do të ngremë zërin kundër veprimeve të njëanshme që shkelin ligjet ndërkombëtare dhe do t’u kërkojmë partnerëve tanë të mendojnë dy herë para se të mbështesin një zgjidhje të tillë”, theksoi ai. Ndërkohë dje, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë takimit në Bërdo të Sllovenisë, gjatë takimit me treshen e lartë të BE-së, tha se, Rusia nuk ka ndër mend të ndëshkojë BE-në në rast se ajo njeh Kosovën e pavarur me akt të shpallur njëanshëm. “Sa për kundërpërgjigje me masa represive nga ana e Rusisë kundër Bashkimit Evropian, kjo tingëllon e hidhur, sigurisht”, u shpreh ai pas takimit me zyrtarët evropianë. Bashkimi Evropian u përfaqësua në këtë takim nga shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë, Havier Solana, komisionerja për marrëdhëniet me jashtë dhe politikën fqinjësore evropiane, Benita Ferrero Valdner dhe ministri francez i shtetit për Çështjet e Jashtme dhe evropiane, Jean-Pierre Jouyet. Sllovenia bujtëse përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, Dimitrij Rupel. Lavrov theksoi në takim se, do të ishte gabim njohja e pavarësisë së njëanshme të Kosovës. “Ne kemi diskutuar për këtë në detaje me kolegët tanë”, tha Lavrov duke shtuar se, një takim i Këshillit të Sigurimit ditën e enjte për Kosovën do të ishte një mënyrë për të diskutuar me drejtësi këtë çështje. Megjithatë ministri i Jashtëm rus nuk ia ka besuar të gjitha shpresat mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Ai tha se, nuk është shumë optimist se mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën do t’i zgjidhë mosmarrëveshjet rreth saj. “Nuk ndjej një optimizëm të madh për mbledhjen e nesërme”, vijoi Lavrov.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›