E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavaroti, miti që kujtohet në gjithë botën

Autori i Lajmit: red.
Një vit pas humbjes së tenorit italian, Luçiano Pavaroti, më 6 shtator 2007, Parisi, Nju-Jorku e, madje, edhe Petra e Jordanisë po përgatiten të organizojnë koncerte-homazh për të përkujtuar atë që qyteti i tij i lindjes, Modena, e konsideron tashmë një "mit". "Kujtimi i Pavarotit po e kthen atë në një mit. Qyteti ynë dëshiron ta shoqërojë këtë fenomen në rritje, duke nxjerrë në dukje një imazh të gjallë të tij", - i tha AFP-së kryetari i Bashkisë së Modenës, (veri), Xhorxho Pigi. "Ne do ta japim Rekuiemin e Verdit më 6 shtator në teatrin që ia kemi dedikuar tenorit, dhe meqenëse kemi pasur shumë kërkesa, është parashikuar edhe një natë tjetër të nesërmen në mbrëmje. Dymijë vendet janë falas, është një dhuratë e qytetit të tij për Pavarotin", - tha ai. Komuna po punon gjithashtu mbi një projekt për të krijuar në Modena një "udhë për të kujtuar Pavarotin, jo një muze, por një vend ku vitaliteti i tij të vazhdojë të ndihet". Me mbështetjen e Ministrisë italiane të Kulturës dhe të teatrit të njohur lirik "La Skala" të Milanos, është organizuar gjithashtu një konkurs kënge. Dyqind e pesëdhjetë të rinj dhe të reja, të ardhur nga e gjithë bota, do të marrin pjesë, ndërsa finalja është parashikuar për më 3 tetor, përpara një jurie të kryesuar nga tenori Karlo Bergonci. Në Romë, muzeu “Vittoriano” do të paraqesë në fillim të shtatorit një retrospektivë kushtuar jetës së shuar të tenorit. Përtej kufijve italianë, Rekuiemi i Verdit do të jepet në teatrin “Metropolitan” të Nju-Jorkut, më 18 shtator përpara 3 000 personave, ndërsa në Paris më 13 shtator, në parkun “Saint-Cloud” do të zhvillohet një koncert-homazh, në të cilin do të marrë pjesë veçanërisht ylli francez i këngës lirike, Roberto Alanja. Në Petra në Jordani, një koncert i madh bamirësie do të organizohet në kujtim të "Pavarotti and Friends", me emrat e mëdhenj të këngës si Bono, Elton Xhon, Sélin Dion, Xho Koker apo Sting, me të cilët Pavaroti këndoi gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë për vepra bamirësie. "Ky ishte një vit i vështirë. Luçiano e ka mbushur gjithmonë jetën time dhe e ka bërë më të bukur, duke më lënë pas një boshllëk të madh", - rrëfeu këtë javë e veja e tij, Nikoleta Mantovani për revistën "Chi". "Po përpiqem të organizoj homazhe, në mënyrë që të kujtohet karriera e tij e pakrahasueshme dhe personaliteti i tij i madh, karizma dhe humanizmi i tij", - shpjegoi ajo. Gruaja e dytë e tenorit, 38 vjeç, shpjegoi se koncerti në Petra "ishte një ëndërr e mbretit Husein, e po ashtu edhe e Luçianos”. "Kemi vendosur t ua dedikojmë të gjitha të ardhurat e koncertit veprave të bamirësisë dhe do t i drejtohemi OKB-së që Luçiano e mbështeste me shumë zell dhe e përfaqësonte me shumë krenari si mesazher i paqes". Luçiano Pavaroti vdiq nga një kancer i pankreasit, në moshën 71 vjeç më 6 shtator 2007 në qytetin e tij të lindjes. Dhjetëra mijëra persona asistuan në funeralin e tij dy ditë më vonë, i përshëndetur gjithashtu nga një kalim i patrullës akrobatike ajrore italiane. Polemika lidhur me ndarjen e trashëgimisë së tij shpërthyen, pasi dy versione të njëpasnjëshme të testamentit të tij nuk i ndanin në mënyrë të njëjtë pasuritë e këngëtarit mes tri vajzave të tij të mëdha nga martesa e parë dhe bashkëshortes së dytë, Nikoleta Mantovani e vajzës së tyre katër vjeç. Përfituesit e të drejtave të Luçiano Pavarotit arritën përfundimisht në një marrëveshje lidhur me ndarjen e trashëgimisë së tij, siguroi të enjten e kaluar avokati i Nikoleta Mantovanit.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›