“Pavlefshmëria” e CEFTA-s për Kosovën, ekspertët kritikojnë qeverinë
Edhe pse ka kaluar një vit që kur Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ende ta zgjidhë këtë problem. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë: CEFTA, Kosova ka pasur probleme me të gjitha vendet e rajonit, por këto probleme u theksuan që nga 3 dhjetori i vitit 2008, kur Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina bllokuan produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ajo e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. E gjithë kjo është përcjellë me zhurmë dhe me pakënaqësi të madhe te komuniteti i biznesit, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa në drejtim të aplikimit të parimit të reciprocitetit, i cili thuhet se nuk është i ndaluar as me rregulla të CEFTA-s, e as me rregulla të Organizatës Botërore të Tregtisë. Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiçi, mendon se ajo që ka ndodhur deri tani, është problem politik, të cilin Kosova e ka me këto dy vende, si dhe një neglizhencë e madhe e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si organ kompetent për menaxhimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s. “Deri tani, kjo ministri ka qenë shumë pasive. Ne i kemi shprehur ankesat tona edhe në Bruksel, edhe dhe në Komisionin Europian. KE-ja thotë se, përderisa institucioni juaj, që është kompetent, nuk sqaron dhe nuk propozon zgjidhje, ne nuk mund të veprojmë”. Më 16 dhjetor, 2008, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar Sekretariatin e CEFTA-s, i cili, në përgjigjen e tij drejtuar ministrisë, e ka vlerësuar si çështje politike problemin e adresuar, duke theksuar se si i tillë nuk mund të zgjidhet në nivel të sekretariateve.
11 Janar 2010