E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi A/H1N1, viktima e 12-të në vend një 64 vjeçar nga Durrësi

Eljona Lata

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje viktimën e 12-të në vend prej virusit A/H1N1. Sipas informacioneve zyrtare, viktima e radhës është një 64 vjeçar nga Durrësi, i cili ishte shtruar para një muaji në sanatorium. Sipas mjekëve viktima mbahej me oksigjen ne reanimacionin e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Mjekët shpjegojnë se ai kurohej intensivisht me tamiflu. Por, gjendja e 64-vjeçarit ka ardhur duke u rënduar edhe për shkak të komplikacioneve të tjera që ka pasur me shëndetin. Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se për herë të parë në grupin e rasteve të rënda raportohet të jenë edhe fëmijë me moshë nga 0 deri në 14 vjeç. Edhe pse situata vjen duke u përkeqësuar nga virusi A/H1N1, qytetarët sërish ngurojnë të marrin vaksinën kundër gripit pandemik.
Situata
Numri i personave që ka humbur jetën nga virusi A/H1N1 deri tani ka shkuar në 12. Viktima e fundit u shënua ditën e djeshme, i cili ishte 64 vjeçar nga Durrësi. Sipas bluzave të bardha viktima vuante nga hipertensioni dhe ishte duhanpirës prej 30 vjetësh. Këto komplikacione kanë ndikuar në përshpejtimin e vdekjes. Para disa ditësh ka humbur jetën për shkak të gripit të derrit, një grua 54-vjeçare nga Korça. Instituti i Shëndetit Publik në buletinin e fundit për situatën e gripit të derrit në vendin tonë ka konfirmuar se janë edhe dy fëmijë të moshës nga 0 në 14 vjeç, të cilët futen te rastet e rënda. Dy fëmijët e prekur nga A/H1N1 kanë pasur probleme shëndetësore bashkëshoqëruese siç është leshmanjoza, apo encefalopati, që shkakton dëmtim fizik te trurit. Ndërsa dy ditë më parë kanë dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, dy gra shtatzëna, të cilat aktualisht ndodhen në gjendje relativisht të mirë shëndetësore.
Rastet
Në 10 ditët e para të këtij viti, numri i viktimave që ka humbur jetën nga gripi i derrit ka shkuar në tre. Dhe dje është shënuar viktima e tretë e këtij viti. Para tri ditësh ka humbur jetën për shkak të gripit të derrit, një grua 54-vjeçare nga Korça. Po ashtu ajo ishte obese dhe vuante nga hipertensioni arterial. Bluzat e bardha u konfirmuan se gripi i derrit i shoqëruar nga këto dy sëmundje ka përshpejtuar dhe vdekjen e viktimës. Ndërsa viktima e parë për vitin 2010 ishte një grua 55-vjeçare nga Fieri e cila humbi për shkak të virusit A/H1N1. Burimet spitalore konfirmuan se nga virusi A/H1N1 ishte prekur edhe bashkëshorti i 55-vjeçares, por që nga mjekimet e marra ka arritur të rikuperohet. Ai tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Numri i të prekurve nga virusi A/H1N1 ka ardhur në rritje por nga qytetarët nuk shihet ndonjë tendencë për të marrë vaksinën kundër gripit pandemik.

Pavijoni i Kirurgjisë
Pacientët mes lagështirës dhe xhamave të thyer

Në Pavijonin e Kirurgjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” pacientët ankohen për kushtet vështira nëpër dhomat ku janë shtruar. Ata shprehen se përveç lagështirës së madhe që mbulon muret e dhomave janë edhe xhamat e thyer, ku i gjithë shiu që bie jashtë hyn brenda. Familjarët të cilët kujdesen për të sëmurtë mundohen të mbulojnë xhamat me copa gazete për të mos lejuar të ftohtin të hyjë brenda. Kjo situatë paraqitet kështu prej disa muajsh kur filloi i ftohtit dhe shirat. Edhe pse pacientët e kanë shfaqur si shqetësim, ende nuk është ndërmarr asnjë masë për ti ardhur në ndihmë atyre. Burimet spitalore bëjnë të ditur për gazetën se për shkak të situatës së vështirë mundohen t’i mbajnë sa më pak pacientët të shtruar. Mjekët thanë se lagështira nëpër mure ndikon negativisht në shëndetin e të sëmurëve, sidomos në sistemin e frymëmarjes. Lagështira e cila dallohet qartë në të gjitha dhomat e katit të parë të spitalit, i detyron mjekët që në disa raste të nxjerrin para kohe nga spitali pacientët e tyre. “Qysh prej një javë që është shtruar nëna xhamat kanë qenë të thyer dhe muri ka qenë i gjithi i nxirë nga myku. Çdo ditë blejmë gazeta dhe i marrim leukoplast infermieres për të ngjitur në vend të xhamave të thyer për të mos lejuar të ftohtin dhe shiun të hyjë brenda” shprehet një nga të afërmit të pacientëve. Të sëmurët ankohen se këtu kanë ardhur për t’u shëruar dhe jo për t’u përkeqësuar më shumë. Sidomos gjatë ditëve të fundit të cilat kanë qenë me shi dhe ku temperaturat kanë rënë ndjeshëm, të shtruarat e kanë ndjerë më shumë të ftohtin që vjen nga jashtë. Të afërmit tregojnë se në disa raste i ndërrojnë gazetat disa herë brenda natës për shkak se lagen nga shiu që vjen nga jashtë.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›