E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzon të paguajë gjobën e vënë nga Gjykata, një muaj e 23 ditë burg

DURRËS – Nuk pagoi gjobën e vënë nga gjykata, një muaj e 23 ditë burg për Fatos Bunacin. Një person i dënuar për falsifikim dokumentesh duhet t’i paguante shtetit detyrimin e caktuar nga gjykata prej afro dy mijë eurosh, por ai ka zgjedhur të mos e paguajë atë. Ngjarja ka për protagonist 35-vjeçarin Fatos Bunaci, lindur në Dibër e banues në Lagjen Nr. 14 Durrës. Fatos Bunaci ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës më datë 12 maj 2008. Shërbimet policore thanë se bënë të mundur kapjen e personit tashmë në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim të datës 14 prill 2008 ka bërë konvertimin e dënimit të dhënë më datë 23 tetor 2007. Bunacit i ishte dhënë detyrimi financiar për t’u likuiduar në shumën prej 266 666 lekësh dhe gjykata këtë shumë e konvertoi me një muaj e 23 ditë burg.

Zjarri, digjen drurët frutorë

BERAT – Pakujdesia e barinjve djeg 2 dynymë shkurre dhe drurë frutorë. Zjarri i rënë pasditen e së premtes për pak sa nuk ka përfshirë bllokun e fiqve në fshatin Vodic të rrethit të Beratit. Fillimisht shkëndija e parë është ndezur në afërsi të një përroi (vend me shkurre) dhe më pas, i ndihmuar nga era, është përhapur me shpejtësi duke përfshirë një sipërfaqe prej dy - tre dynymësh, çka ka bërë që të vihen menjëherë në lëvizje zjarrfikësit dhe vetë fermerët e zonës. Mësohet se furia e zjarrit ka vazhduar për afro katër orë dhe më pas vatra është shuar plotësisht.
Arrestohet 23-vjeçari, vodhi shtëpinë e kushëririt
GJIROKASTËR – Forcat e Policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar 23-vjeçarin Taulant Sulejmani, lindur dhe banues në Sarandë, i dënuar më parë për veprën penale të plagosjes së rëndë. Kapja e tij u bë në një lokal, pasi dyshohet se ky person ka vjedhur banesën e një qytetari me inicialet I. E., në lagjen “Pllakë” të Gjirokastrës. Uniformat blu bëjnë të ditur se Sulejmani është futur nga dera kryesore gjatë orëve të paradites, kur në banesë nuk kishte njeri, duke përdorur një kopje çelësi pasi ai është i afërmi i të zotit të banesës. Pasi ka hyrë brenda, ka vjedhur një celular, rreth 7000 lekë të rinj, 20 euro si dhe një aparat fotografik. Pas një pune hetimore të bërë nga ana e specialistëve të policisë u arrit të evidentohej dhe të provohej me prova ligjore se autori i kësaj vjedhjeje ishte 23-vjeçari i lartpërmendur. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan celulari dhe aparati fotografik që i kishte vjedhur në këtë banesë, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›