E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Qeveria e gatshme për reforma, anashkalon riformatimin

Blerina Olldashi

Qeveria e Kosovës nuk do të riformatizohet, ajo do t’u nënshtrohet disa reformave që në këtë moment janë të domosdoshme që koalicioni PDK-LDK të funksionojë siç duhet. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së ditës së djeshme është shprehur se edhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim, bëhet fjalë për ndryshime në “kuptimin programor” dhe se në këtë rast nuk do të inkuadrohen vetëm njerëz me pozita në partitë politike.
“Në të gjitha institucionet e Kosovës ka pasur, ka dhe do të ketë pjesëtarë të shoqërisë civile dhe do të ketë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryeministri Thaçi, pasi është pyetur nëse pas riformatizimit do të ketë në kabinet qeveritar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Në vend të riformatizimit, kryeministri ka përmendur fjalën reforma në Qeveri. “Reformat do të jenë edhe më të avancuara. Edhe në kuptimin programor”, ka bërë të ditur ai.
Prej një muaji zyrtarët në Kosovë kanë folur për riformatim të sturkturës qeveritare dhe shkak për këtë u bënë zgjedhjet lokale.
Ky veprim u pa nga analistët si shansi i fundit i mbijetesës së këtij koalicioni. Freskimet u panë edhe si masa paralajmëruese për ministrat, të cilët duhet të ishin më të përgjegjshëm për mbajtjen e posteve të tyre. Analisti Shkëlzen Maliqi u shpreh se ka parë shumë mangësi në punën e ministrive të caktuara dhe freskimet, sipas tij, janë një rast i fundit që të bëhen ndryshime pozitive në qeverisje. Sidoqoftë, ai thotë se këto freskime në Qeveri po vonohen, marrë parasysh kohën kur janë paralajmëruar. “Një rikonstrukturim ndoshta do të ishte i domosdoshëm, që të ngrihet përgjegjësia e Qeverisë”. Përderisa kryeministri dhe partnerët e koalicionit nuk e bëjnë të qartë platformën e këtij rifreskimi të Qeverisë, Maliqi thotë se nuk mund të bëhen vlerësime se sa do të jenë të shëndetshme për qeverisjen në Kosovë këto ndryshime. Ndërkaq, analisti Driton Lajçi vlerëson se ndryshimet në Qeveri duhet kuptuar si krejt normale. Çdo freskim, sipas Lajçit, mund të sjellë ndryshime pozitive dhe, në anën tjetër, mund të jetë edhe masë paralajmëruese për ministrat që janë dëshmuar apo dëshmohen më pak gjatë punës së tyre. “Ministrat e rinj apo rikonfigurimi, ta quajmë si të doni, është shëndet për Qeverinë e Kosovës, institucionet e tyre. Do të thotë, këtu nuk ka asgjë të keqe, është pozitive dhe se Qeveria nëse bën ndryshime, ato janë krejt normale”, vlerëson Lajçi.

Kosova do të ftohet në Konferencën për Ballkanin

Vendi kryesues i BE-së, Spanja, ka paralajmëruar se do të vazhdojë të mbështesë integrimin europian të Ballkanit, por edhe se nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, shefi i diplomacisë spanjolle ka bërë të ditur se Kosova do të jetë pjesë e Konferencës për Ballkanin në Sarajevë. Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, shtet i cili në fillim të këtij viti mori kryesimin e BE-së, Migel Angel Moratinos, ka deklaruar në Madrid se Spanja do të vazhdojë bisedimet për zgjerimin e Bashkimit Europian edhe në Ballkan – dhe ka përsëritur se nuk do ta ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›