Pranga 5 të kërkuarve për 20 vjedhje dhe vënie tritoli
SARANDË – Policia e qytetit bregdetar ka arritur të vërë në pranga 5 të rinj, të cilët dyshohen se kanë kryer rreth 20 vjedhje në qytetin e Sarandës, si dhe dyshohen për vënie tritoli. Të rinjtë e arrestuar janë Geart Zholi, 23 vjeç; Lisjen Kazo, 25 vjeç; Edmond Abazi, 22 vjeç; V. Mehmeti, 17 vjeç dhe O.,Abazi, 15 vjeç.
Hetimet
Dyshimet e para të ngritura nga ana e policisë dhe grupit hetimor nxjerrin në dritë se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e mëse 20 vjedhjeve të ndryshme biznesesh, por edhe banesash. Gjithashtu, uniformat blu konfirmojnë faktin se po këta persona mund të jenë autorët e vendosjes së sasive të tritolit, por pa dhënë detaje të tjera lidhur me cilat raste.
Grupi i përbërë nga pesë të rinjtë kishte kohë që vëzhgohej nga ana e Policisë së Sarandës, në drejtim të së cilës kishin ardhur një numër i madh denoncimesh nga qytetarë dhe biznesmenë të ndryshëm. Sipas burime pranë kësaj policie bëhet e ditur se pesë të rinjtë e arrestuar kanë punuar si një grup kriminal prej një viti, duke realizuar të paktën 20 vjedhje të ndryshme biznesesh dhe banesash në qytetin e Sarandës dhe zonat përreth, duke u shndërruar kështu në tmerrin e banorëve.
Arrestimi
Mesditën e djeshme, forca të shumta policie kanë arrestuar pesë të rinj të akuzuar për mëse 20 vjedhje. Sipas policisë, të rinjtë janë arrestuar nga Policia e Komisariatit të Sarandës pas provave për implikim të tyre në të paktën 20 vjedhje dhe dyshimeve për vendosje tritoli. Policia tha se të dyshuarit kanë punuar si një grup kriminal prej një viti, duke realizuar të paktën 20 vjedhje të ndryshme biznesesh dhe banesash në qytetin e Sarandës dhe zonat përreth, duke u shndërruar kështu në tmerrin e banorëve. Në kontrollet e banesave të të dyshuarve, janë sekuestruar disa prova materiale, por policia thekson faktin se autorët gjatë këtyre 20 vjedhjeve të dokumentuara, kanë rrëmbyer disa miliona lekë pa përmendur sendet e ndryshme.
Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së këtij qyteti, e cila pritet të vazhdojë më tej hetimet për të zbuluar nëse ky grup ka kryer vjedhje të tjera në qytetin e Sarandës dhe në zonën përreth. Pesë të arrestuarit do të përballen ditët në vazhdim me togat e zeza, të cilat do t’u komunikojnë dhe masën e sigurisë.
Të arrestuarit
Geart Zholi, 23 vjeç
Lisjen Kazo, 25 vjeç
Edmond Abazi, 22 vjeç
V. Mehmeti, 17 vjeç
O. Abazi, 15 vjeç
11 Janar 2010