E Diel, 1 Nëntor 2026

Pazari Berisha-Meta dhe qeveria teknike e konsideruarNga Bledar H. PriftiTë negociosh në gjuhën popullore do të thotë të bësh pazar. Pazari fillon aty ku bashkohet kërkesa me ofertën apo shitësi me blerësin, dhe ambienti që krijohet nga bashkëveprimi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pazari Berisha-Meta dhe qeveria teknike e konsideruarNga Bledar H. Prifti

Të negociosh në gjuhën popullore do të thotë të bësh pazar. Pazari fillon aty ku bashkohet kërkesa me ofertën apo shitësi me blerësin, dhe ambienti që krijohet nga bashkëveprimi i këtyre dy elementeve quhet “tregu”. Çmimi i tregut vendoset si rezultat i bashkëveprimit shitës-blerës, bazuar në fuqinë pazarbërëse (bargaining power) të secilit element. Elementi që ka më shumë potencial pazarbërës dominon pazarin dhe kondicionon çmimin e tregut. Por, duke qenë se fuqia pazarbërëse është relative dhe ndryshon paralelisht me ndryshimet e aktorëve dhe faktorëve të tregut, atëherë blerësi dhe shitësi janë të sforcuar të konsiderojnë prishje pazaresh (obsolescing bargaining).

Parë nga ky këndvështrim, negociatat Berisha—Meta për formimin e një qeverie koalicioni mund të konsiderohen në gjuhën popullore si “pazar politik”, ku në vend të të mirave materiale dhe financiare shkëmbehen mandate dhe poste ministrore. Për të mënjanuar krijimin e një qeverie teknike që do të rezultonte në zgjedhje të parakohshme, dhe rrezikun e daljes në opozitë, Berisha u tregua i gatshëm për të krijuar një qeveri koalicioni me LSI-në e Metës, duke i dhënë këtij të fundit disa poste ministrore. Por, kjo lojë politike, në të cilën marrin pjesë Berisha dhe Meta, është një lojë me shumë zero (zero-sum game). Si rrjedhojë, humbja politike e Berishës pas 28 qershorit do të jetë e barabartë me përfitimet që Meta do të akumulojë nga ky pazar politik për krijimin e qeverisë së re të koalicionit. Qëllimi i Berishës është të minimizojë humbjet duke i dhënë Metës sa më pak ministri dhe poste të tjera.

Tregu ku zhvillohet ky pazar politik ka dy elementë kryesorë: (1) Berisha si shitës, dhe (2) Meta si blerës. Berisha konsiderohet “shitës” për faktin se për të mbajtur postin e kryeministrit, në këmbim të katër mandateve ai jep dy, tre, apo katër poste ministrore. Meta konsiderohet “blerës” për faktin se ai përdor katër mandatet e deputetëve për të marrë disa poste ministrore. Interesi i Berishës është që për katër mandate të marra nga Meta të shesë sa më pak poste, kurse interesi i Metës është që për katër mandate të blejë sa më shumë poste ministrore. Kjo përplasje interesash i nxit palët që të hyjnë në procesin e pazarbërjes. Elementi që do të ketë fuqinë më të madhe pazarbërëse do arrijë të dominojë pazarin dhe të vendosë çmimin e tregut. Ndaj është e rëndësishme që të analizojmë fuqinë pazarbërëse të këtyre dy forcave në mënyrë që të parashikojmë një çmim të mundshëm të këtij “tregu politik”.

Së pari, Berisha e ka të bazuar fuqinë e tij pazarbërëse në dy pika kyçe: (1) Pasja e pushtetit aktual, dhe (2) Të bërit publik e marrëveshjes që ofron LSI-në e Metës në qeverinë e Berishës dhe koston e lartë politike që mund të ketë për Metën prishja e kësaj marrëveshje. Si fillim, të pasurit e pushtetit i jep mundësinë Berishës që të ketë fuqi pazarbërëse për të blerë një mandat të 71-të apo 72-të, e me radhë. Ky fakt mund të përdoret nga Berisha kundër Metës për ta detyruar këtë të fundit që të pranojë ofertat e tij, përndryshe Berisha do të përdorte deputetët rezervist. Ekzistojnë fakte në të kaluarën kur Berisha gjithmonë ka krijuar ato që quhen nga analistët si “grupet e gatshme”, të cilat ai i përdor për të rritur potencialin e tij pazarbërës dhe për të detyruar kundërshtarin politik të pranojë ofertat dhe kushtet e tij. E njëjta strategji do të përdoret nga Berisha edhe në këtë pazar politik të radhës.

Së dyti, bërja publike e marrëveshjes Berisha-Meta i jep Berishës më shumë potencial pazarbërës, për shkak se edhe në rast se Berisha do i ofrojë Metës shumë më pak nga çfarë ky i fundit pretendon, Meta do ta ketë shumë të vështirë që të prishë marrëveshjen për shkak të kostos politike që ajo do të kishte. Një tërheqje e Metës do ta portretizonte partinë e tij, jo vetëm si një forcë pragmatiste dhe e pabesueshme, por edhe si një forcë e pamaturuar politikisht. Gjithashtu, kjo do të vinte Metën përballë një situate të vështirë ku do të duhej të kalkulonte humbjet dhe fitimet e të ndenjurit në qeveri me Berishën me humbjet dhe fitimet e prishjes së marrëveshjes.

Për sa i përket fuqisë pazarbërëse të Metës, ajo është e bazuar në faktin se Berisha nuk ka numrin e duhur për formimin e qeverisë dhe Meta ka ato që dikush i ka quajtur “katër mandate të arta”. Meta do përpiqet që ta vendosë Berishën në një situatë ku ky i fundit do të duhej të zgjidhte midis përmbushjes së kërkesave të Metës dhe ikjes nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike. Në aparencë duket se Berisha ndodhet përballë një situate të tillë. Bile, ky perceptim ka qenë dominues fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Por, si u tha edhe më lart, koha ka treguar se Berisha nuk e pranon që të gjendet në situata të tilla.

Gjithashtu, fuqia pazarbërëse e Berishës edhe Metës qëndron edhe në aftësitë e tyre për të analizuar elementin kohë dhe për të parashikuar zhvillimet politike në të ardhmen. Meta duhet të kuptojë se Sali Berisha i tanishëm nuk do të jetë i njëjtë me Sali Berishën pas miratimit të qeverisë së re me votat e së djathtës dhe të LSI. Ndryshimet e fundit kushtetuese do ta bënin rrëzimin e Berishës së ri pothuajse të pamundur, edhe në rast se do kishte përplasje të mëvonshme me LSI. Ka dy rrugë kushtetuese për të larguar një kryeministër: (1) Kur kryeministri kërkon votëbesim në parlament dhe (2) Kur një grup prej jo më pak se njëzet deputetësh kërkojnë mocion votëbesimi për kryeministrin duke paraqitur kryeministrin e ri dhe votat e mjaftueshme (71) për ta miratuar atë. Në rastin e parë kryeministri Berisha i ri kurrë nuk ka për të kërkuar votëbesim në parlament për shkak të frikës se mund të rrëzohet. Në rastin e dytë, opozita apo ndonjë forcë tjetër do ta ketë realisht të pamundur të krijojë numrin 71 të deputetëve për të rrëzuar Berishën dhe për të miratuar një kryeministër të ri. Ndaj gjasat do të jenë që Berisha i ri, pas miratimit në parlament, do të jetë edhe për katër vjet kryeministër, me ose pa Metën.

Nga ana tjetër, Berisha dhe Meta do t’i bazojnë vendimet e tyre duke marrë parasysh impaktin që do të ketë rezultati i pazarit mbi elektoratet respektiv. Në rastin kur Meta do të futet në qeveri, synimi i tij kryesor do të jetë të punësojë në dikasteret që do t’i jepen nga Berisha sa më shumë përkrahës të LSI, me qëllim që të legjitimojë politikisht vendimin për bashkëpunim me Berishën. Nëse ai nuk e bën këtë gjë, atëherë Meta do të përballet me një elektorat, ose pjesë të elektoratit, që e shikuan marrëveshjen me Berishën si një rrugë për të ardhur në pushtet dhe për të zënë poste dhe punë. Zhgënjimi dhe zemërimi i kësaj pjese të LSI do të sillte përçarje dhe konflikte brenda LSI, gjë që do t’i kujtonte Metës partitë e Pollos dhe Ndokës.

Por kjo tendencë e Metës do të sillte shumë shqetësime në radhët e elektoratit të PD. Nuk duhet harruar se kjo lojë do të ngelet nga fillimi deri në fund një lojë me shumë zero. Nëse Meta do të merrte poste ministrore dhe do të punësonte mbështetësit e tij, atëherë i bie që mijëra simpatizantë të PD të largoheshin nga puna. Mijëra simpatizantë të PD të larguar nga puna pasi morën pjesë aktive në fushatën zgjedhore do të thotë mijëra familje të nervozuara me Sali Berishën. A do ta pranonte vallë Berisha këtë situatë? Disa analistë mund të pretendojnë se të djathtët janë të predispozuar për të mbrojtur idealet e tyre, por në fund të fundit ata mbeten qenie racionale dhe sensitive në ambientin ku jetojnë.

Pavarësisht përfundimeve të pazarit, për Berishën gjithmonë ngelet një mundësi për ta kthyer situatën në favor të tij, qoftë edhe duke mos iu përmbajtur marrëveshjes. Ai do të jetë përsëri kryeministër i Shqipërisë, bile, një kryeministër i plotfuqishëm dhe i parrëzueshëm në parlament. Pikëpyetjet e shumta do të qëndrojnë mbi Metën. A do t’i shkojë ai deri në fund një pazari, nga i cili mund të dalë ashtu si kanë dalë edhe shumë kolegë të tij më parë — i rraskapitur dhe i dërrmuar politikisht? A mendon Meta se prishja e marrëveshjes para miratimit në parlament të qeverisë do të kishte një bilanc pozitiv për LSI? Dhe së fundmi, a mendon ai në të vërtetë se vullneti i elektoratit shqiptar në 28 qershor ishte për një Sali Berisha kryeministër? Pavarësisht mendimeve të tij, për momentin ky pazar duket të ketë vetëm një fitues të shpallur dhe të sigurt, dhe ky është kryeministri në detyrë z. Berisha. Të tjerët le të rrinë në pritje!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›