E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peçi: Mandati i Ina Ramës mbaron në maj të 2013-ës

TIRANE - Spiro Peçi, këshilltari ligjor i ish-presidentit, Bamir Topi që emëroi Ina Ramën në detyrën e Prokurores së Përgjithshme 5 vite më parë, pretendoi dje se mandati i saj në krye të organit të akuzës përfundon në maj të vitit të ardhshëm. Sipas Peçit, çdo veprim tjetër për largimin nga detyra të Ina Ramës në nëntor të këtij viti do të ishte i kundraligjshëm. Ai sqaroi se në këtë rast do të bëhej fjalë për shkarkim, e për një hap të tillë, mazhorancës sipas ish-ministrit të Drejtësisë, i duhet të faktojë shkeljet e Ramës. “Ndërmarrja e veprimeve për ta konsideruar një mbarim të mandatit në nëntor të këtij viti meqënëse është emëruar në nëntor të vitit 2007, nuk do të ishte largim për shkak të mbarimit të mandatit, por do të ishte një shkarkim nga detyra, që për mua do të ishte i paligjshëm.

Efektivisht Kushtetuta e ka të përcaktuar kur mund të shkarkohet një Prokuror i Përgjithshëm para mbarimit të mandatiti. Mund të shkarkohet me kërkesë të Kuvendit e miratim nga Presidenti, kur ka shkel Kushtetutën, kur ka shkelur rëndë ligjin e kur ka kryer veprime që cënojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm”, - deklaroi Peçi në një prononcim të dhënë për “Albanian Screen”. Në funksion të këtij qëndrimi ai u shpreh i bindur në faktin se llogaritja e mandatit 5-vjeçar të Prokurores së Përgjithshme fillon që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. “Llogaritja e mandatit për Prokuroren që është sot në detyrë bëhet nga data që ka hyrë ligji deri kur mbushet 5 vjet dhe 5 vjet i mbush sipas ndryshimeve të Kushtetutës, në maj të vitit 2013”, - sqaroi Peçi. Ai mendon se beteja për largimin në nëntor apo në maj të shefes së organit të akuzës, do të pasohet në Gjykatën Kushtetuese. “Prokurorja e Përgjithshme mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por jo pa dalë vendimi i largimit të saj sepse efektivisht nuk janë cënuar deri më sot ato marrëdhënie pune që ajo ka në bazë të Kushtetutës së vjetër. Personi që mund të jetë emëruar duhet t’i lirojë vendin Prokurores se Përgjithshme që padrejtësisht mund të lirohet nga detyra në muajin nëntor”, - u shpreh Peçi për AS.

Në mënyrë të përsëritur mazhoranca aktuale ka bërë të qartë se në nëntor të këtij viti Prokurorja e Përgjithshme duhet lirojë karrigen. Një skenar i mundshëm nëse ajo arrin të qëndrojë në detyrë deri në maj të 2013-s, është shpërndarja e Parlamentit në këtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, e si rrjedhojë, zëvëndësimi i saj i mbetet detyrë në shtator Parlamentit të ri të dalë nga këto zgjedhje. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›