Të pashpresët ia mbathin
"Arratia" e franko-marokenit Tahar Ben Jelloun për herë të parë në shqip nga "Max". Një roman mbi emigracionin dhe ëndrrat e të dëshpëruarve që kërkojnë jetë më të mirë më një vend tjetër
Dëshira për të ikur ishte aq e madhe saqë njerëzit filluan të dëgjonin zëra sirenash. Imagjinonin qënie të çuditshme që parashihnin fatin dhe mund t'u tregonin nëse ishte ajo dita e duhur, nëse deti do të ishte i qetë, nëse rojat kufitare do të ishin të "pavëmendshme". Nëse do të mund të shkelnin atë tokë të premtuar që ditëve të kthjellëta e shikonin prej tarracave të lokaleve buzë detit. Janë "ethet" që kanë përshkuar gjithë banorët e Tanxhas në Marok. Të arratiset është ëndrra e çdo të riu të atij vendi buzë detit. Ëndrra e të diplomuarit që nuk gjen punë, që bëhet pre e "spastrimeve" të policisë gjatë aksioneve, ku duhet gjetur patjetër një fajtor, apo një i pakënaqur, vajzës që do të arsimohet e të mos jetë robinjë e burrit, që nuk do të qërojë karkalecë në fabrikë… Si një maroken i lindur në Fes, Tahar Ben Jelloun, e di mirë se çdo të thotë të jesh i ri e ta kesh kokën të mbushur me ëndrra. I duhej veçse të hidhte në letër çka kishte parë e dëgjuar në vendlindjen e tij. E quajti "Arratia". I shkruar në gjuhën frënge dhe i sjellë në shqip nga Hysen Sinani, "Arratia" është ndër librat e fundit hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese "Max", është ndër veprat e fundit të autorit, shkruar mes Tanxhas dhe Parisit në vitin 2004, por jo i vetmi që vjen në shqip.
Kur një lexues shqiptar lexon librin e Jellounit, e bën menjëherë të tijin. Maroku zhduket dhe në vend të Tanxhas mund të jetë çdo qytet bregdetar i Shqipërisë. Në vend të Azelit mund të jetë çdo i sapodiplomuar shqiptar që me curriculum vitae troket nëpër dyer për një punë, pa mundur të gjejë. Ndoshta nuk zgjedhin rrugën e Azelit, që i dha një shkelm krenarisë (Az El do të thotë krenari) duke i "shërbyer" një të pasuri homoseksual, por zemërim ndaj vendit që nuk di t'i mbajë, që nuk u ofron asgjë, e ndjejnë sigurisht. Dhe ideja për t'u arratisur përtej detit, në një vend të lirë, pa paragjykime, ku mund të bëjë një punë çfarëdo e të harrojnë diplomën, u shkon jo rrallë herë nëpër mend.
Duke kaluar nga një faqe në tjetrën, nga njëri "kapitull" në tjetrin, që autori ka preferuar t'u vërë emrin e çdo personazhi, lexuesi ndjen të jetojë me çdo njërin prej tyre. Historitë janë shumë të afërta. Jo sepse tanimë nuk ka më asgjë të re nën diell, por sepse për një vend si Shqipëria, që për gati dy dekada vazhdon të përballet me emigracionin, fati i çdo personazhi është i ngjashëm me fatin e një familjari, apo një të njohuri… Pa dashur të identifikohesh, në mënyrë të pandërgjegjshme heq një paralele të dhimbshme mes historive marokene dhe të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit. Nuk janë të panjohura historitë e të rinjve që largohen nga vendi dhe "ngatërrohen" në rrjete të paligjshme, të vajzave që gënjehen nga të fejuarit e përfundojnë prostituta në trotuare që u shërbejnë pleqve të sëmurë, që bëjnë martesa false për të marrë nënshtetësinë e huaj. Tragjeditë detare, skafistët, gomonet e përmbysura me klandestinë, trupat e pajetë nxjerrë në breg të detit, kanë tronditur jetët e jo pak shqiptarëve. "Arratia" është një libër që të përpin pas çdo faqeje, duke kërkuar të mësosh për fatin e çdo personazhi, edhe pse e ndjen fundin e tyre pa kthim. Në pjesën e parë përfshihesh nga ankthi i arratisë drejt një ëndrre të madhe, sigurimi i një vize, jeta që të pret. Ndjesia e ankthit përzihet me erën e detit, ndërsa në gjysmën tjetër të librit vjen rënia e shpejtë, përzier me erërat e ndenjura të klubeve të periferive. Kjo lloj përfshirjeje vjen jo vetëm prej temës, që nuk të lë indiferent, por edhe prej gjuhës së Jellounit, fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve "Prix Goncourt", ndërsa në muajin shkurt, presidenti francez Nikolas Sarkozi e dekoroi me titullin "Oficer i Legjionit të Nderit". Por nuk mund të mohohet merita e përkthyesit Hysen Sinani, që e servir gjuhën e romanit pa ngërçe, të lirshme, duke krijuar "komoditet" në të lexuar.
"Arratia" i Tahar Ben Jellounit është një libër që trondit. Një libër i këshillueshëm për tu lexuar kryesisht nga politikëbërësit që kanë në duar fate.