Pedagogët e Universitetit Ismail Qemali, kërkojnë vetëvlerësim në gradë
Nuk kanë të mbaruara problemet që sjellin përplasje midis universitetit Ismail Qemali të Vlorës dhe MASH. Mirëpo ndërsa gjatë vitit 2009 përplasjet kanë qenë midis studentëve dhe senatit të këtij universiteti me Ministrinë, kësaj radhe përplasja është midis pedagogëve të këtij universiteti dhe institucionit më të lartë të arsimit në vend. Rreth 160 pedagogë të këtij universiteti i kanë nisur një peticion këtij institucioni me tre kërkesa kryesore dhe mosplotësimi i tyre bën që
këta pedagogë të bojkotojnë të enjten mësimin dhe të fillojnë një grevë në të cilën mendohet se do të marrin pjesë edhe senati I këtij universiteti edhe studentët e tij. Lista e personave që kanë firmosur këtë peticion vazhdon dhe rritet çdo orë dhe sipas njoftimeve të fundit, vetëm dy pedagogë të këtij universiteti nuk kanë pranuar ta firmosin këtë peticion. Pedagogët e këtij universiteti kërkojnë nga MASH që të bëhet në vetë këtë universitet vlerësimi për gradën deri në prof.as, gjë që bëhet sot në universitetet e Tiranës dhe për të cilin pengesë është bërë vetëm një vendim i Këshillit të Ministrave dhe për të cilin vetë ministra kishte dhënë një premtim se do të ndodhte Brenda vitit 2009, kërkojnë shtesë për 11 degë të reja dhe shtimin e ambienteve për mësim. Për këtë të fundit, vetë universiteti ka gati një projekt gjigand për një korpus të plotë universiteti dhe kërkohen vetëm miratimet nga institucionet përkatëse për zbatimin e tij. Sipas peticionit të këtyre pedagogëve, fillimisht është menduar për një grevë paralajmëruese për sensibilizimin e instancave përkatëse dhe më pas mund të kalohet në bojkotim total të mësimit.V. Sako