Qeveria, fonde për 342 familje të pastreha në Durrës
Në vazhdën e premtimeve të mbajtura dhe investimeve në Durrës, qeveria ka gati zbatimin e një projekti madhor për zbutjen e problemit të strehimit. Fillimisht për vitin 2010, janë në plan afro 342 familje, të cilat kanë marrë nga bashkia statusin e të pastrehut dhe që do të trajtohen me apartamente të reja. Kjo njëherësh përbën një premtim të mbajtur të Kryeministrit Berisha lidhur me zbutjen e këtij problemi të mprehtë social në Durrës. Projekte konkrete për strehimin,
do të bëhet i mundur ndërtimi i pallateve brenda 24 muajve. Tenderi tashmë ka përfunduar dhe janë përcaktuar firmat e ndërtimit të cilat do të ngrenë dy pallatet e para për të pastrehët, të cilët janë pjesë e Projektit të strehimit social i hartuar nga qeveria për Durrësin. Plot 342 apartamente do të ndërtohen brenda harkut kohor të 24 muajve për të cilat janë siguruar fondet e nevojshme si dhe janë përfunduar edhe një sërë procedurash ligjore. Është CEBI (Banka e Këshillit të Evropës) që në bashkëpunim me qeverinë, duke u koordinuar edhe me Bashkinë e Durrësit, që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti. Kjo bankë ka mundësuar një kredi prej 3,5 milionë eurosh, e cila mbulon 60 për qind të projektit, ndërsa bashkia me 1,5 milion euro do të mbulojë 40 për qind të tij. Kredia e CEBI-t është me terma shumë të buta dhe do të nisë të likuidohet pas 11 vjetësh.