E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogët e rinj s do të pranohen me mesatare nën 9

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Asnjë pedagog i ri nuk do të punësohet, nëse e ka mesataren e studimeve poshtë nëntës. Ky është kriteri i përgjithshëm për sa u përket kandidatëve që janë diplomuar në universitetet brenda vendit. Ndërsa për të diplomuarit në universitetet e huaja ka më tepër lëshime, limiti i mesatares për ta është lënë mbi 8. Universiteti i Tiranës (UT) miratoi dje kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta për punësimin e 160 pedagogëve të rinj në degët e tetë fakulteteve të tij. Rektorati i këtij unversiteti ka dorëzuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik buletinin e shkollave të larta për vendet e lira të punës.
Kriteret
Nga ky informacion bëhet e ditur se kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes në tetë fakultetet e UT konsistojnë që kandidatët konkurrentë duhet të jenë të diplomuar në fushën përkatëse (brenda dhe jashtë vendit) me notë mesatare të studimeve mbi 9. Ndërsa për kandidatët që kanë përfunduar universitetet e huaja kjo mesatare duhet të jetë mbi 8.
Filologjiku
Por, secili departament në fakultetet e UT ka vendosur edhe kritere të veçanta. Kështu, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka shpallur në total 10 vende të lira pune për personel akademik. Kandidatët për pedagogë për të aplikuar në degët universitare të këtij fakulteti duhet që të kenë gradë dhe tituj shkencorë (brenda dhe jashtë vendit), të kenë mbaruar studimet me medalje ari, eksperiencë si lektorë jashtë vendit dhe të kenë publikur punimet e tyre.
Ekonomiku
Në Fakultetin e Ekonomisë janë shpallur 35 vende të lira pune për personel akademik. Këtu përfshihen edhe kërkesat nga filiali i Fakultetit të Ekonomisë në Sarandë dhe Kukës. Edhe në këto degë të gjithë kandidatët duhet që të kenë gradë dhe tituj shkencorë (brenda dhe jashtë vendit), të kenë mbaruar studimet me medalje ari, eksperiencë si lektorë jashtë vendit dhe të kenë publikur punimet e tyre. Për ata pedagogë që duan të punojnë në filialet e këtij fakulteti është përcaktuar se duhet të jenë me vendbanim në Sarandë dhe Kukës.
Gjuhët e huaja
Kritere të ngjashme kërkohen edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (23 vende të lira), Fakultetin e Drejtësisë (me 30 vende të lira) dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore (15 vende të lira).
Shkencat e natyrës
Departamenti i Informatikës, Biologjisë dhe Matematikës kanë përcaktuar se mosha e kandidatit duhet të jetë jo më shumë se 40 vjeç, për shkak të specifikës së këtyre degëve. Edhe Fakuteti i Shkencave Sociale, i cili ka shpallur 21 vende të lira pune, ka vendosur kritere të veçanta, që kanë lidhje me tituj shkencorë, eksperiencë si lektorë jashtë vendit, mesatare të lartë etj, por kërkon që mosha e aplikantit për pedagog duhet të jetë nën 50 vjeç.
Infermieria
Në fakultetin e Infermierisë kërkohen 16 pedagogë, prej të cilëve tre konkurrentët e Departamentit të Informatikës duhet të jenë nën moshën 50 vjeç. Ndërsa Fakulteti i Mjekësisë, i cili do të çelë konkurs për 10 pedagogë, ka përcaktuar veç kritereve të veçanta edhe dokumentacionin që duhet të dorëzojë çdo konkurrent. Aplikimet e kandidatëve për pedagogë me kohë të plotë pranë Universitetit të Tiranës do të nisin më 11 gusht dhe do të vijojnë deri në fund të këtij muaji.

Para akreditimit, degë të reja në universitetet private
Qeveria miratoi dje hapjen e degëve të reja universitare në institucionet private të arsimit të lartë. Dy degë të reja, ajo e psikologut të punës dhe psikologut shkollor, do të çelen këtë vit akademik në Fakultetin e Shkencave Politike pranë universitetit privat “Kristal”, Tiranë. Kohëzgjatja e programeve të studimit të ciklit të parë do të jetë 3 vite akademike. Në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diploma e nivelit të parë (DNP), në fushën e arsimimit të kryer. Në vendimin e djeshëm thuhet se ngarkohet shkolla e lartë universitare private “Kristal”, që, për çdo program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga një personel akademik і huaj, me kualifikimin e nevojshëm. Shkolla e lartë universitare, private “Kristal” do ta fillojë veprimtarinë mësimore për programet e studimit, pasi të ketë marrë lejen përkatëse nga ministri і Arsimit dhe i Shkencës, por jo më vonë se dy javë para fillimit të vitit akademik. Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij për këtë qëllim. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Gjithashtu, shkolla e lartë universitare, private, “Kristal”, duhet t i nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe këtyre programeve të studimit, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi. Vendimi ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky lajm është publikuar: 06/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›