E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogu im i parë, ende i pazbuluar nga studiuesit



Gjergji LAKO
Padyshim, në gjithë atë trupë të mrekullueshme artistësh-pedagogë, pjesë e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, me plot dinjitet dhe personalitet artistik bënte pjesë profesor Guri Madhi. Ai vinte nga një Akademi me emër të madh, kish qenë një student tepër serioz dhe plot talent, që diti të përvetësojë nga tradita e madhe ruse dhe ajo botërore. Pedagogët e tij do ta rendisnin studentin nga Shqipëria e vogël, ndër studentët që do të përbënin krenarinë e Akademisë së Shën Peterburgut. Piktori shqiptar e nisi rrugën e tij të madhe në art me ne, djemtë e rinj dhe do të na mësonte me shumë durim të bëheshim artistë. Kjo meriton mirënjohjen më të madhe ndaj profesorit. Takimin e parë me të e kam pasur më 1963-shin, kur isha nxënës dhe kisha ëndërr të hyja në Liceun Artistik të Tiranës (i vetmi në atë kohë). Profesor Guri më përzgjodhi si një talent të ri dhe me inkurajoi për të vazhduar më tej Liceun dhe Akademinë për pikturë. Kanë kaluar 45 vjet që nuk jemi “ndarë” dhe sot së bashku “takohemi” gjithmonë, bisedojmë me veprën e tij, kujtojmë vlerat e tij si artist dhe si pedagog. Guri Madhi ish një artist i madh, siç janë shprehur kolegë e kritikë dhe kjo madhështi e veprave të tij të duket sikur buronte që nga mbiemri. Si një artist fisnik, elegant në veshje, me pamje prej babaxhani do të paraqitej gjithmonë serioz, i palodhur me ne, në ato ateljet e vogla të liceut. Aktiviteti i tij artistik filloi me diplomën “B.Curri në shpellën e Dragobisë” dhe që do të vijonte me qindra vepra që do të realizoheshin prej tij përgjatë 32-viteve (1956-1988). Le të kujtojmë fundin e viteve 50-të, kur profesor Guri solli thesare të mëdha të kulturës kombëtare. Kush nuk e njeh dhe admiron portretin e nënës së tij Dhespina, një mrekulli e portretit në pikturën tone. Askush nuk ka mbetur pa admiruar e vlerësuar kompozimin plot mjeshtëri dhe epizëm “Turqit dorëzojnë armët para Skënderbeut”. Më pas, veprën tjetër plot guxim krijues si një artist batalist, që me mjeshtërinë e artistit të madh realizon veprën “Pëllëmbë e gjak” dhe që do të vijonin me qindra vepra të tjera në pikturë, të gjinive të ndryshme si kompozime me temë historike dhe lirike, portrete, natyra të qeta, peisazhe nga natyra e bukur e Shqipërisë, vepra që ruhen me fanatizëm kudo që ato janë. Kjo periudhë e artë, jam i sigurt që nuk është studjuar si duhet për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta emocionale që na evokojnë këto tabllo plot vlera artistike. Kjo periudhë e parë e krijimtarisë së Guri Madhit (1952-1965) për mua do të quhej pa mëdyshje si periudha e Rembrandtit shqiptar, ku çdo koment është i tepërt për artistin tonë të shquar. Ekspozita e hapur sëfundi në qytetin e Korçës, në galerinë që mban emrin e tij, është një ngjarje e rëndësishme artistike dhe një moment që të reflektojmë respektin, dashurinë e mallin për mësuesit dhe pedagogët tanë, ku mendoj se një vend të merituar zë pedagogu im i parë, “Piktori i Popullit” Guri Madhi.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›