E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët që nuk fituan vjet, rregullat për të ndjekur studimet e larta këtë vit



Jonida Tashi

Kandidatët që nuk fituan vjet të drejtën për studime të larta duhet të nisin procedurat për të rikonkuruar. Kushti kryesor, për tu ulur këtë vit në auditoret e shkollave, është dhënia e provimeve me zgjedhje. Ministria e Arsimit, nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, ka përcaktuar rregullat që duhet të ndjekin këta kandidatë për të hyrë në fakultet. Këto rregulla, janë të vlefshme jo vetëm për maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para këtij viti, por edhe për ata kandidatë që nuk mundën të fitonin vitin e kaluar një të drejtë studimi. Kështu, sipas udhëzimit të miratuar për zhvillimin e provimeve, të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2008, ashtu siç është vepruar edhe më parë, përveçse duhet të ruajnë notat e provimeve të detyruara Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi, duhet të japin sërish provimet me zgjedhje.
Regjistrimi
Fillimisht këta kandidatë duhet të kryejnë regjistrimin në gjimnazet, ku kanë kryer shkollën e mesme. Po ashtu, edhe nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007, dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e shkollave të larta publike, për t’u regjistruar në këto shkolla këtë vit duhet të rijapin provimet me zgjedhje, pranë shkollave të mesme, ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë KMSH të DAR/ZA përkatëse, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë. Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje, konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2, pranohet vetëm i shoqëruar me mandat-arkëtimin. Në qoftë se për arsye të ndryshme kandidati nuk merr pjesë në provimin me zgjedhje për të cilin ka bërë pagesën, kjo e fundit nuk kthehet. Maturantët që do t’u nënshtrohen këtë vit me zgjedhje duhet t’u kushtojnë shumë vëmendje këtyre provimeve, të cilat nuk do të zhvillohen si një vit më parë. Pyetjet e provimeve me zgjedhje këtë vit nuk do të jenë më vetëm me alternativa, por edhe me shkrim.
Dokumentet
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: Në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollat e mesme; Në KMSH të DAR-it apo ZA-së, ku ka figuruar shkolla e mesme, nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin në këtë KMSH dokumentet e mëposhtme: Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e 4 (katër) ose 5 (pesë) viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza); Dy kopje të noterizuara të Dëftesës së Pjekurisë; Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuara, (pasaportë) ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit; Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje. Pas kësaj, KMSH i DAR-it apo ZA-së cakton shkollën e mesme, ku këta persona do të plotësojnë formularët A1 dhe A2 dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSH i DAR-it apo ZA-së përcakton për këta nxënës, në bazë të dokumenteve të paraqitura, notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës ku i cakton.

Dokumentet
1. Vërtetimin që ka mbaruar shkollën e mesme, i shoqëruar me notat e katër ose 5 pesë viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin themelor (amza)
2. Dy kopje të noterizuara të Dëftesës së Pjekurisë
3. Një kopje të dokumentit të identifikimit të noterizuara, (pasaportë) ose certifikatë lindjeje me fotografi, lëshuar jo më vonë se tre muajt e fundit
4. Kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›