E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A2, nisi dje, shpërndarja nëpër gjimnaze



Formulari A2, ka filluar të shpërndahet dje, në shkollat e mesme të kryeqytetit. Sipas drejtuesve të këtyre shkollave, ky formular është më i thjeshtë krahasuar vitin e kaluar, ndërkohë që nuk ka pësuar ndryshime përsa i përket plotësimit me dhjetë degët e preferuara. Aktualisht, në disa gjimnaze formularët kanë mbërritur, por ende nuk i’u janë shpërndarë nxënësve. Kjo për arsye se, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, maturantët duhet të presin rezultatet e dy provimeve të detyruara për të nisur plotësimin e tij. Përqindja e pikëve të marra nga provimi i Letërsisë, Matematikës si dhe nota mesatare kanë jo pak peshë për tu shpallur fitues për në universitet. Maturantët do të kenë afat për të plotësuar, formularin A2 deri në datën 9 korrik, një ditë para provimeve me zgjedhje. Ndërkohë që këto ditë ata do të njihen me notat e provimit të parë dhe të dytë të detyrueshëm, Letërsisë dhe Matematikës. Përkatësisht pritet që rezultatet e provimit të Letërsisë, të dalin në datën 25 qershor, ndërsa rezultatet e provimit të Matematikës, në datën 3 korrik. Me anën e formularit A2, merren të dhënat për notën mesatare të shkollës së mesme të maturantit dhe 10 preferencat e tij për programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë. Në formularin A2, gjenden të listuara të gjitha degët e universiteteve publike duke filluar nga 1 deri tek 200. Për të marrë formularin A2, nxënësi duhet të ketë kryer pagesën prej 2 mijë lekësh në një bankë, ose në Postën Shqiptare dhe të paraqesë faturën e pagesës së kryer. Vetëm maturantët që kanë kryer këtë pagesë dhe kanë faturën mund ta tërheqin formularin në shkollën e tyre.

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›