Nis procesi zgjedhor në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës
Në universitetin “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit, ka nisur procesi zgjedhor, për zgjedhjet e para për autoritetet dhe organet drejtuese të këtij institucioni. Lajmi është bërë i ditur dje, nga Ministria e Arsimit, sipas së cilës, ky proces ka nisur më 20 qershor dhe procedurat do të kryhen në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë. Ndërkohë që, sipas urdhrit të ministrit të Arsimit, Genc Pollo, data e zhvillimit të zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese të universitetit më të ri në vend, do të jetë 16 korriku 2008. Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë, me çeljen e një institucioni publik të Arsimit të Lartë, drejtuesit emërohen fillimisht nga ministri i Arsimit. Duhet të kalojë të paktën një vit nga çelja e një universiteti, që të zhvillohen zgjedhjet e para. Kjo për të siguruar numrin e mjaftueshëm të personelit akademik, i cili përbën kontingjentin kryesor për zgjedhjen e drejtuesve. Universiteti i Durrësit, nuk u përfshi në zgjedhjet e janarit 2008, muaj kur u zgjodhën drejtuesit e 10 universiteteve të tjera publike, pasi nuk ishin ngritur stafet e duhura akademike. Në këto zgjedhje, do të marrin pjesë edhe stafi joakademik dhe të gjithë studentët (vota e tyre ka peshën 5 për qind dhe 20 për qind). Në dhjetor të vitit 2005, një Vendim i Këshillit të Ministrave, vendosi hapjen e universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Ky universitet, fillimisht përbëhej nga tre fakultete: Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Administrimit, si dhe shkolla e lartë jouniversitare, me diploma universitare në degët e: Ciklit të ulët, Gjuhë angleze, Kualifikime pasuniversitare në fushën e mësuesisë dhe të menaxhimit të arsimit, (Fakulteti i Edukimit) Shkenca të administrimit, Menaxhim turizëm (Fakulteti i Ekonomisë). Në fillim të këtij viti akademik, ky universitet, do të përbëhet edhe nga një fakultet i ri, i pari në vend që ofron studime të larta të integruar me praktikën (FASTIP).
24 Qershor 2008