E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijnë në “Njerëz të humbur” shenjat e para të jetës për tre djemtë pogradecarë



Janë larguar me uratën e nënës dhe kanë marrë me vete brengën e nuseve që nuk patën një martesë si gjithë të tjerat. Duket sikur nën emrin kurbet fshihet një mentalitet i ngurtë, i cili për gratë shqiptare përbën ende një zakon të trashëguar që prej vitit 1900. Edhe sot, në 2008-n, nuk ka ndryshuar asgjë. Tri familjet pogradecare të Artan Xhukellarit, Fatos dhe Bashkim Latifllarit mbajnë prej 16 vitesh barrën e këtij kurbeti, plaga e të cilit rrjedh ende dhimbje. Djemtë janë larguar drejt Greqisë në datën 7 korrik të vitit 1992. Fillimisht ata kanë punuar në ndërtim në Volos, te një pronar grek i quajtur Kosta. Ata kanë mbajtur kontakte të rregullta me familjet e tyre deri më 25 tetor të vitit 1992. Që prej humbjes së kontakteve, tre familjet e emigrantëve filluan të shqetësoheshin rreth fatit të tyre. Në muajt e parë të vitit 1993 ata i telefonojnë Kostës dhe e pyesin rreth vendndodhjes së djemve. Në telefonatën me të prindërit marrin vesh se në atë zonë kishte ndodhur një aksident nga ku ishin vrarë tre persona për çështje parash në intervalin kohor: njëri prej tyre në dhjetor të vitit 1992, njëri në 15 mars të vitit 1993 dhe tjetri më 31 mars të po këtij viti. Rreth datës 20 mars të vitit 1993 një fqinj i vjetër i familjeve, i quajtur Enver Gora, në atë kohë me banim në Hanja të Kretës, deklaroi se ka takuar Artanin dhe Fatosin dhe ka konsumuar një kafe përreth 15 minuta me ta. “Në atë kohë punoja në një fabrikë, - dëshmon ai, - dhe më duheshin disa punëtorë për të më ndihmuar në ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave. Pasi dal në sheshin kryesor të qytetit, takoj rastësisht Artan Xhukellarin dhe Fatos Latifllarin, ndërkohë që Bashkimi kishte shkuar në një agjenci për të prerë biletat e udhëtimit. Ata kishin rreth tri javë që punonin në Hanja të Kretës, në ndërtim, por kishin ngelur pa punë dhe për këtë arsye do të ktheheshin edhe një herë tek vendi i mëparshëm i punës së tyre në Volos. Nëse nuk do të gjenin punë aty, atëherë do të merrnin rrugën drejt Athinës për të kërkuar për vende të reja pune”. Dy-tri javë më vonë, Enveri merr vesh nga familjet e djemve se ata kishin humbur kontaktet me njëri-tjetrin. Në vazhdën e fakteve kontradiktore në muajin mars të vitit 1994 nga Interpol Tirana në Komisariatin e Policisë së Pogradecit vjen një fonagramë në të cilën shkruhej se djemtë ishin gjetur të vrarë në Volos, por pa u dhënë asnjë detaj tjetër rreth shkaqeve të vdekjeve të tyre, vendi i krimit, institucioni nga ishin marrë këto të dhëna, analizat mjeko-ligjore dhe mbi të gjitha kufomat. Shkresa e Interpolit përmbante edhe emrat ekzakt të të tre djemve si shqiptarë, ashtu dhe ato grekë. Në Greqi Artan Xhukellari njihej me emrin Jani Kostandini, Bashkim Latifllari njihej si Kosta Barka, ndërsa Fatos Latifllari
me emrin Foto Kostandini. Sapo u prezantua si histori të shtunën në mbrëmje në “Njerëz të humbur”, Vizion Plus erdhën shkëndijat e para rreth fatit të Artanit. U fol fillimisht për një djalë i cili jeton që prej vitit 1992 në një fshat të Athinës dhe që nuk ka kontaktuar që prej këtij viti me familjen e tij. Investigimet kanë filluar edhe në rrugë zyrtare në policinë e Volosit, policinë e Pogradecit dhe në Interpolin Shqiptar për të zbuluar një herë e mirë të vërtetën e atyre kufomave të cilat nuk u zbuluan kurrë se kujt i përkisnin. Pikëpyetja kryesore bie mbi faktin se mbi ç`bazë janë mbështetur institucionet e asaj kohe kur djemtë në Greqi nuk kishin asnjë lloj dokumenti dhe nga ana tjetër ata të deklarohen të vdekur me të dyja identitetet. E shtuna e kësaj jave do të zbardhë atë dyshimi mbi të cilin ka jetuar përreth 16 vjet, tri familjet e Artan Xhukellarit, Fatos dhe Bashkim Latifllarit

Julian Cipi realizon ëndrrën e tij, pas 26 vitesh gjen nënën biologjike

“Ironia e fatit” ka sjellë vazhdimisht emocione dhe përlotje gëzimi gjatë transmetimeve direkte të emisionit “Njerëz të humbur” çdo të shtunë mbrëma në valet e televizionit Vizion plus. Historitë e fëmijëve të braktisur që kërkojnë prindërit biologjik dhe historitë e dhimbshme të nënave që pas një jetë të tërë kërkojnë të bashkohen me fëmijët që i braktisën dikur, kanë ndjekur vazhdimisht njëra-tjetrën duke u bërë busulla e jetëve njerëzore me interes të jashtëzakonshëm human. Shumë histori të tilla janë zgjidhur më një “happy end” për të dyja palët, disa të tjera kanë mbetur enigme sepse është respektuar dëshira e privacisë se personave të caktuar. Ndonjëherë është dashur shume guxim dhe forcë për të përballuar dhembjen e madhe, vdekjen e nënave apo baballarëve biologjikë të fëmijëve të vegjël e të rritur që kanë trokitur në “Njerëz të humbur” me shpresën se do t`u hapet një portë e re për një bashkim të lumtur. Mes këtyre historive njerëzore radhitet edhe historia e një djali 26-vjeçar, i cili erdhi ne jetë 26 vite me parë në Maternitetin e Elbasanit. Pasi u braktis nga nëna e tij, Juliani dërgohet nga infermieret e këtij institucioni lindje në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër, ku ai qëndron deri në moshën 18-vjeçare. Jeta e Julianit ishte e vështirë gjatë viteve të tij të para, pasi ai nuk u birësuar asnjëherë, sikundër ndodhte me fëmijët e tjerë me të cilët rritej nën të njëjtën çati. Vitet kalonin dhe dëshira e Julianit për të njohur nënën e tij biologjike rritej dita-ditës. Duke mos gjetur askund shpresë për realizimin e kësaj ëndrre të tij 26-vjeçari iu drejtua “Njerëz të humbur” disa javë më parë. Trajtimi i rasti “Cipi” për disa javë rresht u dha mundësinë disa teleshikuesve që të jepnin vendndodhje të ndryshme për nënën e tij. Pas shumë javësh kërkimesh dhe hetimesh u arrit të gjendej një zonjë e cila besohej se ishte nëna e Julianit. Të shtunën mbrëma në “Njerëz të humbur” Julaini pati mundësinë t’i shprehte nënës së tij që e ka sjellë në jetë fjalët e një biri. Ai tha se e donte nënën e tij, e kishte dashur gjithmonë dhe e kishte mbajtur të mbyllur në zemrën e tij atë ndjenjë të veçantë për të. Minutat kalonin dhe Juliani priste duke ndjekur me lëvizje të shpejta çdo receptor që ngrihej nga gazetarët me shpresën se do të merrte lajmin e shumëpritur. Befas një zë nga ana tjetër e telefonit kërkonte të fliste me Julianin. Ishte nëna e tij. Telefonata mes tyre mbeti përgjysmë, pasi nëna e tij kishte ardhur pranë Vizion Plusit dhe ndodhej në një nga ambientet e këtij televizioni duke pritur me mall dhe dashuri të takohej me të birin. Juliani u emocionua së tepërmi dhe u largua nga studio e “Njerëz të humbur” me një shprehje lumturie dhe habie në fytyrë. Prapa kuintave atë e priste e ëma dhe një nga dajat e tij. Nënë e bir u larguan nga Vizion Plusi me një ëndërr të përbashkët tashmë të realizuar: ata e kishin takuar njëri-tjetrin pas 26 vitesh.

SHËNIM

“Për cdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com, shkruani ne adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni ne Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

24 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›