Gripi i derrit, vetëm gjatë fundjavës shtohen 19 mostra të marra
Shtohet numri i mostrave të mbledhura nga specialistët për të kryer verifikimet nëse personat e dyshuar janë me virusin e gripit të derrit ose jo. Sipas Buletinit Epidemiologjik të publikuar nga ISHP-ja, numri i mostrave të marra gjatë dy ditëve të fundit ka shkuar në 459 mostra nga 440 që ishin më parë. Ndërsa bën të ditur se janë dy raste që pritet të konfirmohen nga Laboratori i Bukureshtit. Mosha më e prekur dhe me numrin më të madh të të dyshuarve është 25-44 vjeç. Kështu, 13 persona të prekur nga virusi në vendin tonë i përkasin kësaj moshe. Ndërsa është rritur mundësia e përhapjes së virusit tek moshat e vogla 5-15 vjeçare. Harta e virusit të gripit të derrit ka marrë një zgjerim të madh të kufijve në pjesën më të madhe të qyteteve. Vendin e parë për raste të ekzaminuara dhe të konfirmuara e zë kryeqyteti, me 323 ekzaminime deri tani. Listës së prekjes së virusit gjatë javës së fundit, i janë shtuar qytetet të tjera si Përmeti, Berati, Kurbini, ndërsa qytetet e tjera ku rastet janë konfirmuar dhe më parë, tani kanë shtuar listën e personave të dyshuar. Qytetet, ku dyshimet për virusin vazhdojnë të jenë prezente janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Devolli, Mati, Saranda, Fieri etj. Specialistët e ISHP-së japin të dhënat se në Spitalin Infektiv të QSUT-së janë marrë 223 mostra, çka përbën dhe numrin më të lartë nga të gjitha qytetet dhe qendrat e tjera spitalore. Mbivendosja e gripit të derrit me gripin stinor do të jetë shumë i vështirë për tu kuruar, ndaj dhe qytetarët duhet të vaksinohen për gripin e zakonshëm në pritje të vaksinës së virusit A/H1N1. Specialistët shprehen se bluzat e bardha do ta rrisin gjendjen e tyre të gatishmërisë që në ditët e para të muajit shtator. Shkak për këtë është bërë paralajmërimi për një valë më të fortë të gripit të derrit nga specialistët e OBSH-së. Ndonëse gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës puna e mjekëve të familjes apo atyre infeksionistë që merren me trajtimin e të prekurve apo të dyshuarve me virusin A/H1N1, nuk ka reshtur sërish shtatori do t’i kalojë ata në një nivel tjetër më të lartë të survejancës. Ndërkohë, OBSH-ja ka premtuar se do të sigurojë fondet për shpërndarjen e vaksinës për disa vende të botës, të cilat nuk kanë mundësi për ta blerë atë. Ndërsa kanë bërë të ditur se tashmë do të nisë faza e dytë e përhapjes së gripit të derrit, e cila do të jetë edhe më e rrezikshme se më parë. Virusi i gripit të derrit do të mundë të krijojë një kombinim me gripin e zakonshëm dhe kjo do të bëje që të ketë një numër tepër të lartë të infektuarish.
Historia e udhëtimit për 20 rastet e konfirmuara
3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi
6 raste janë të lidhura me udhëtimin, kryesisht Mbretëria e Bashkuar
Për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit
Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe 4 raste në Durrës (tre marinarë të huaj)
1 rast në Sarandë
25 Gusht 2009