E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Tiranë, informacion për atentatorin për 500 mijë lekë shpërblim



Tiranë - Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion të informatorit shpërblim në vlerë 500 mijë lekë të rinj si dhe në dispozicion të qytetarëve dy numra telefoni 069 41 11 021 dhe 129 për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të vrasjes, 38-vjeçarin Bashkim Qefalia. Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë pranë doganës së Tiranës, ku Qefalia ka ekzekutuar me armë zjarri Artan Allushin 25 vjeç dhe plagosi dy shtetas të tjerë xhaxhanë e tij Kujtimin dhe djalin e këtij të fundit Nertil Allushin, përkatësisht 50 dhe 22 vjeç.
Ngjarja
Sipas njoftimit zyrtar të policisë dyshohet paraprakisht se viktima dhe dy shtetasit e plagosur, kanë debatuar fillimisht me autorin ku më pas janë konfliktuar me këtë të fundit, për motive të dobëta. Autori i dyshuar Bashkim Qefalia, pas kësaj grindje ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve Artan, Kujtim dhe Nertil Allushi, ku për pasojë dyshohet se është dëmtuar edhe vetë. Artan Allushi ka gjetur vdekjen e menjëhershme kurse dy shtetasit e plagosur u dërguan menjëherë në spitalin Ushtarak Tiranë, ku 22 -vjeçari Nertil Allushi ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore ndërsa babai i tij Kujtim Allushi aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimi
Ngacmimi i një vajze është motivi që nxjerr policia për vrasjen që ndodhi të dielën në dalje të kryeqytetit. Burime nga grupi i hetimit thanë se autori i dyshuar ngacmonte kushërirën e të vrarit dhe pas sherrit mes palëve ndodhi edhe krimi. Hetimet nxjerrin si pistë, akuzën e dy djemve dhe xhaxhait të tyre ndaj të dyshuarit se ai u ngacmonte një vajzë të familjes. Sa më sipër, strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, kanë vendosur shumën e parave si shpërblim, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Bashkim Qefalia, i cili tashmë është identifikuar. Policia tha se për autorin e dyshuar, materialet e përpiluara do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.

28 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›