Pedofilia, caktohet gjykatësi që do të gjykojë anglezin David Brown
• TIRANE - John David Brown, ish-drejtori i qendrës "Fëmijët e Tij", i akuzuar për pedofili do të gjykohet i vetëm nga gjyqtari kryeqytetas Ilir Çeliku.Shorti elektronik i këtij institucioni përzgjodhi këtë gjyqtar për të kryesuar gjykimin e çështjes, ndërsa dosja penale pritet t'i dorëzohet në ditët në vazhdim, kur ai pas studimit të saj do të caktojë seancën e parë të procesit. 10 ditë më parë Brown akuzoi para gjyqtarit Gerd Hoxha dy miqtë e tij Robin James Arnold dhe Dino Christodoulou si autorë të marrëdhënieve seksuale me të miturit. Pas kësaj ai kërkoi veçimin e gjykimit, për faktin se greko-anglezi Christodoulou dhe skocezi Arnold pritet të ekstradohen në Shqipëri, pasi paraprakisht gjykatat angleze janë shprehur pro kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Për të mos u vonuar procesi në ngarkim të tij, Brown kërkoi të gjykohej veç. Anglezi 52-vjeçar, ish-kreu i fondacionit "Fëmijët e Tij", u prangos në maj të vitit 2006 në Tiranë pas denoncimit nga një shtetase holandeze se në jetimoren që ai drejtonte, pedofilë të ndryshëm kryenin marrëdhënie seksuale me të mitur. Pak ditë më vonë u prangos në akuzën e "moskallëzimit të krimit", edhe ish-kuzhinieri i fondacionit, i riu nga Erseka Janaq Papaleka, çështja për të cilin është ndarë dhe ka mbaruar së shqyrtuari. Brown ka pohuar vazhdimisht në gjykatë se megjithëse ishte drejtori i fondacionit bamirës nuk kishte dijeni të abuzimeve që ndodhnin aty, fakt që ky e ka mësuar kur është arrestuar. Sipas tij, argumenti që nuk kishte kryer marrëdhënie homoseksuale me të miturit vërtetohej me impotencën e tij. Madje sipas tij edhe nëse analizoheshin provat e organit të akuzës, atëherë vërtetohej ky pretendim. fa.ma.