Trafik armësh e fishekësh, kapet banda
• Arrestohen katër persona të akuzuar për trafik armësh dhe bombash me celular.Gjatë aksionit të arrestimeve policia sekuestroi 57 mijë copë fishekë, 35 pistoleta "Bereta" dhe "Mini Blow", nëntë mina të përgatitura me celular, një snajper dhe një pistoletë me silenciator që po trafikoheshin nga të arrestuarit. Sipas hetimeve, dyshohet se armët, municionet dhe snajperi janë trafikuar nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë. Më pas ato mendohet se mund të kishin për destinacion përdorimin brenda vendit apo trafikimin në drejtim të Italisë. Burimet zyrtare konfirmuan dje në mbrëmje arrestimin e shtetasve Glerian Hyseni, Adrian Moçka, Shkëlqim Gjoka dhe Hysen Hyka. Ata u prangosën në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga sektori i Antitrafikut në Policinë e Shtetit. Dy vë-llezërve policia u sekuestroi nëntë mina me telekomandë, fishekë, pistoleta dhe një snajper bashkë me pajisjet e tjera të tij. Hetimet për këtë çështje janë filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në vitin 2007, ndërsa së fundi organi i akuzës i kaloi urdhrat e arrestit policisë për ekzekutim pasditen e djeshme. Snajperë e bomba Minat mendohet se kapnin vlerën e 2 500 eurove për copë ndërsa snajperi mësohet se është vlerësuar nga blerësit në shifrën e 2 mijë eurove. Lajmi i arrestimit së të dyshuarve me bombat dhe armën me dylbi, është konfirmuar nga Prokuroria dhe krerë të Policisë së Durrësit dhe Policisë së Shtetit. Operacioni ka nisur mëngjesin e djeshëm dhe është drejtuar nga krerët e sektorit të Antitrafikut në Policinë e Shtetit. Në mesditë, efektivët e përfshirë në operacion kanë mundur të prangosin në Durrës të akuzuarit, ndërsa u kanë bllokuar atyre edhe minat me celular dhe armët e rrezikshme që mbanin me vete. Specialistët e sektorit të Antitrafikut në Policinë e Shtetit dhe të Durrësit, kanë kryer një këqyrje paraprake të armëve dhe eksplozivit të kapur duke verifikuar mirë edhe vendin e prodhimit të tyre. Më pas policia e Durrësit ka nisur të arrestuarit për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Rrjeti i trafikutHetimi për aktivitetin kriminal mësohet se ka zgjatur më shumë se një muaj më parë. Për të ndihmuar më tepër hetimin, mësohet se në grupin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale është infiltruar edhe një agjent i policisë. Ai mësohet se ka luajtur rolin e të interesuarit për blerjen e armëve dhe minave, për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë histori. Nga hetimi i kryer dyshohet se snajperi dhe minat me celular janë blerë në Malin e Zi, nga persona që mendohet se janë përfshirë në një rrjet të tillë përtej kufirit verior. Pas mbërritjes së armëve në Durrës, policia ka ndërhyrë duke ndaluar katër të dyshuarit. Ata akuzohen për "organizim të trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake në bashkëpunim". Dyshimet e hetuesve janë se në këtë aktivitet mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, që mund të kenë pasur role të rëndësishme në këtë rrjet të trafikut të armëve dhe minave. d.b