E Diel, 1 Nëntor 2026

Sqarim lidhur me artikullin për "lirimin" e ish-zv/ministrit Jaka

• TIRANE - Gazeta "Panorama" ka botuar në faqen 15 të numrit të djeshëm, artikullin me titull "Zbutet akuza, lirohet Nikolin Jaka".Artikulli në fjalë pretendonte lirimin e të pandehurit me një vendim të Gjykatës së Tiranës, për shkak të ndryshimit të akuzës në përfundim të hetimeve të Prokurorisë. Gazeta sqaron se një lajm i tillë rezulton të jetë i pavërtetë. Shkrimi i publikuar dje përmban të dhëna të sakta vetëm sa i përket ndryshimit të akuzës ndaj Nikolin Jakës nga "veprime korruptive" në "ndikim të paligjshëm". Të dhënat e tjera lidhur me vendimin e Gjykatës dhe lirimin e të pandehurit, nuk qëndrojnë, ato janë të pa vërteta. Artikulli në fjalë i referohej lirimit nga burgu të Nikolin Jakës, ish-zv/ministër i Transporteve i arrestuar në shtator të vitit të kaluar pas akuzave të Prokurorisë për abuzime në tenderët e rrugëve. Informacioni mbi të cilin është bazuar artikulli, është raportuar në redaksinë e gazetës nga reporteri i ngarkuar për mbulimin e veprimtarisë së gjykatave. Të dhënat dhe burimet e cituara në artikull, u raportuan si të verifikuara prej gazetarit që ka firmosur autorësinë e shkrimit. Gjithsesi redaksia e gazetës tentoi të konsultojë informacionin e reporterit me të dhënat e Prokurorisë para se artikulli të botohej. Por kontakti me grupin hetimor ishte i pamundur për shkak se ata ishin të pa disponueshëm para publikimit të artikullit. Ditën e djeshme, gazeta mori kontakt me grupin hetimor të çështjes dhe verifikoi se ish-zv/ministri i Transporteve Nikolin Jaka, ndodhet i paraburgosur në kryeqytet, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor ndaj tij në Gjykatën e Tiranës. Në këto kushte, gazeta "Panorama" sqaron lexuesit e saj se artikulli i djeshëm që pretendon lirimin nga burgu të Nikolin Jakës, nuk qëndron. Menjëherë pas kontaktit me burimet zyrtare të informacionit dhe saktësimit të asaj që ka ndodhur në të vërtetë, gazeta filloi verifikimin e burimeve mbi të cilat ishte bazuar artikulli. Redaksia zhvilloi një analizë të hollësishme të artikullit dhe qëndrimit të mbajtur nga autori i tij. Në përfundim të kësaj analize, redaksia vendosi marrjen e masave të ashpra ndëshkimore ndaj gazetarit si dhe sqarimin publik për këtë pasaktësi që përbën gabim të rëndë nga ana e reporterit. Gazeta u premton lexuesve të saj se do të pasqyrojë me objektivitet dhe saktësi si dhe bazuar në Kodin e Etikës, procesin gjyqësor që pritet të fillojë në Gjykatën e Tiranës lidhur me çështjen në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›