Pedro mbi Mesin

Le të pranojë Spanja dhe disa nga yjet e saj të mos jenë protagonistët absolutë. Le të lejojnë një emër që na është dukur më modest, Pedro Rodrigezin. Ky djalosh është çmendur që nga vapa e 15 gushtit e deri tani duke shënuar 7 gola në 5 ndeshje për “furitë e kuqe” spanjolle dhe duke lënë disi në hije margaritarë si Mesi, Ksavi, Iniesta apo Kristiano Ronaldo.
Barcelonisti realizoi dy herë në portën e Panamasë, në miqësoren e fituar 5-1 nga skuadra e Visente Del Boskes në shtetin që ka kanalin që lidh dy oqeane.
Më parë kishte shënuar 2 herë ndaj Arabisë Saudite dhe 3 herë ndaj Bjellorusisë. Me të përfunduar Euro 2012, ku gjithashtu ishte në formën e një ylli, ndodhi edhe shpërthimi i vullkanit katalanas.
Megjithë respektin dhe modestinë, Pedro ka vendosur të lerë prapa Mesin, të paktën me fanelën e përfaqësueses. Spanjolli ka shënuar 7 gola në 5 ndeshje, ndaj 5 golave në po kaq përballje të realizuara nga Leo. Kristiano Ronaldo vjen shumë më prapa.
I vetmi që e tejkalon është i shkëlqyeri tjetër, Nejmar i Brazilit. Futbollisti që pritet në Europë si “ujët e pakët” ka arritur të tundë 9 herë rrjetat e portave kundërshtare gjatë kësaj periudhe 3 mujore.
Siç thotë Del Boske, Pedro i siguron atij dhe skuadrës “thellësi në lojë, shpejtësi, intensitet”. Ai mund të luajë kudo që t’i kërkohet dhe të luajë shumë mirë. Përveç kësaj, ai mund të shënojë gola.