E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rosi takon Lorencon

Tigri dhe luani u futën sërish në të njëjtin kafaz. Ishte të paktën dëshira e njërit prej tyre, pasi Valentino Rosi vendosi të braktisë Dukatin për të provuar fatin e tij edhe një herë me Jamahan, skuadër ku gjen kampionin në fuqi të botës, Horge Lorencon.
Spanjolli është ylli i ri i Moto GP-së, duke fituar titullin e dytë radhazi, ndërsa veterani italian ndoshta ka besim të rikthejë epokën e tij të lavdishme kur sundonte thuajse pa rivalë në pistat e të gjithë botës.
Provat e para të përbashkëta mes Vales dhe Horges u bënë në Alkaraz të Spanjës, veçse moti i lagësht dhe me reshje bëri që planet të mos shkonin sipas parashikimit, madje Lorenco provoi një tjetër rrëzim pas atij që i ndodhi në mënyrë spektakolare në garën e fundit të sezonit.
Çfarë do të ndodhë në edicionin e ri, më 2013? Ndonëse në sport ndryshime kaq radikale nuk është e lehtë të ndodhin, sërish 9 herë kampioni i botës, pra Valentino Rosi, nuk heq dorë nga fiksimi i tij, për të fituar titullin e 10-të në karrierë dhe të 8-in në kategorinë maksimale të motorëve.
Veçse, në Alkaraz më i shpejti doli rivali i tyre i madh, Dani Pedroza, edhe ky një spanjoll super i talentuar, që këtë vit e preku titullin me motorin madhështor Honda. Pedroza dha kohën 1’32”322, por konkurrenca nuk mbaron me kaq.
Për fatin e tij të keq, Rosi do të duhet të përballet me 3 spanjollë njëherësh, pasi në Moto GP ka ardhur edhe kampioni i Moto 2, iberiku tjetër Mark Markez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›