Pehlivanët e “(Ri)Lindjes” së Udhëkryqit!
Meqë e di se me ç’marifete i fitoi zgjedhjet, e majta e mban veten si jo aq entuziaste, sikur kjo fitore “plebishitare” ka qenë për të diçka normale. Ndaj u jep porosi gjithë të vetëve të mos mburren, të mos tregojnë sidomos se ç’aftësí përdorën për suksesin spektakolar. Kjo taktikë i duhet edhe ngaqë parandien se nuk ka për t’i mbajtur premtimet e bujshme që bëri. Mirëpo revanshi i saj ndaj kundërshtarit, tregon të kundërtën. Se njerëzit e dinë që e majta vuan dhe nga kompleksi i inferioritetit, ndaj tregohet arrogante që gjithsesí të mos i zbulohen petët e “lakrorit”. Domethënë, mos (Zoti na ruajt!) vërtetohet një ditë që ajo i ka blerë shumë vota. Që kjo e majtë i “sheqerosi” lutjet e saj për të fituar vullnetin e sovranit, me ca lekë të thata. Se e majta e di që politika e “pazareve” nuk e përjashton allishverishin. Përkundrazi! Ndaj iu duk normale që, kur njerëzve u premtoi aq shumë punësíme, të gjitha shërbimet shëndetësore falas, përse të mos u jepte edhe diçka si “paradhënie”? Pra, meqë u premtoi njerëzve se do t’i bënte të merrnin çdo muaj rrogë duke punuar, ose duke bërë sikur punonin, përse të mos u jepte edhe ca lekë si punë “kapari”? A nuk u shndërruan dje shumë të majtë në “militantë” të djathtë për të mirën e sovranit dhe a nuk i votoi ata përsërí elektorati i majtë? Pra, kur “pazari” ngrihet mbi parimet, përse të mos vazhdohej dhe politika me “këmbët në tokë” duke shfrytëzuar hallet e njerëzve? Përse të mos përfitohej nga fukarallëku i skajshëm i ca hallexhinjve? Përse të mos ndilleshin ata si ajo pula pas kokrrave të melit? Të blihej, pra, kështu, jo vetëm vota, por dhe vullneti i saj “i lirë”? Përse të mos votonin njerëzit me dorën e tyre kundër së ardhmes së tyre ? Megjithatë, u bë si u bë, e majta ka bindjen se fitoi më shumë sesa paratë, që hodhi në tregun e “shenjtërimit” të votës(!) Mirëpo ajo ka rënë taní në hall. Ka nisur të dyshojë në mundësínë e mbajtjes së premtimeve. Ndaj, meqë e sheh se nuk arrin dot të bëhet “e mira më e madhe”, lufton të mbetet, në fund të fundit, “e keqja më e vogël”. Por, që kjo të bëhet realitet, lypset të katandiset e djathta në “e keqja më e madhe”. Prandaj e majta ka nisur revanshin. Prandaj dhe ia mohoi dje të djathtës të gjitha sukseset. Prandaj nihilizmi i saj i djeshëm tërboi dynjanë duke e proklamuar mazhorancën si “të keqen më të madhe”. Bilé, qysh kur kjo e djathtë ishte në apogjeun e sukseseve të saj! Mirëpo, aq sa është e lehtë të gënjesh, kur s’ke gjë në dorë, aq je në hall, kur të është besuar qeverisja. Prandaj e majta ka frikë se mos njerëzit zhgënjehen prej saj qysh në hapat e saj të parë. Prandaj ka nisur të sajojë ca forma veprimi e sjelljeje të ndryshme nga ato të kundërshtarit. Të krijojë përshtypjen sikur po nis një epokë e re, një ndryshim i paparë, një rilindje e madhe. Ndaj vetëm për caktimin e detyrave imediate të qeverísjes së saj mbajti një mbledhje “historike” në Vlorë. Një mbledhje të rrethuar nga misteri, madhështia oshëtitëse e së cilës u duk si në mediatizimin e bujshëm, ashtu dhe në jehonën e simbolizmit, që përfaqësonte. Bilé, edhe me vetë vendin ku u caktua të mblidhej, apo me heshtjen mediatike të zhvillimit të saj, etj. Se nuk ishte lajm i vogël të mblidhet një qeveri pa letra në zonën, që pati fatin të zgjidhte deputet vetë kryetarin e partisë! Por gjëmimet e këtij fillimi madhështor u shfaqën në zhurmën e fadromave, që nisën shkatërrimin e ndërtimeve pa leje e me leje, pastaj në kërcënimet e ushtarakëve për të mos lënë që SHQUP-i të ndryshonte destinacionin e tij si vend dasmash.
Por, që të justifikonte ngecjet, mosrealizimet dhe dështimet e pritshme, mazhoranca dha alarmin për krijimin e “gropës së zezë” në buxhetin e shtetit nga ana e qeverisë në ikje. Sepse, pehlivanët e të tilla skenarëve e dinë se ku duan të dalin. Ndaj vazhdojnë revanshin e vjetër në kushtet e reja. Akuzojnë se në kampin kundërshtar dorëheqjet janë fiktive, se atje nuk ekzistoka pranimi i gabimeve, apo që qeveria në ikje ndjek politikën e “tokës së djegur”, etj. Qëllimi është që e majta “plebishitare”, në mos u bëftë “e mira më e madhe”, të arrijë të cilësohet “e keqja më e vogël”. Kështu, revanshi i kësaj mazhorance të re ndaj së vjetrës shpjegohet edhe me faktin se e djathta po ngulmon akoma të mbetet “e mira më e madhe”. Kurse e majta lufton për të gatitur opinionin se, edhe sikur qeveria e saj të ngrohet në diell, prapë të çmohet si më e mirë se alternativa e së djathtës, që, sipas “plebishitares”, vetëm e shkatërroi vendin me tërë ato rrugë “me gropa”, ato shkolla “pa cilësí”, atë shëndetësí “pa shërbime” dhe me atë polici “të paaftë”, a gjyqësor “të korruptuar”. Shkurt, mazhoranca e majtë po përpiqet të krijojë një atmosferë artificiale entuziaste ndryshimesh epokale, të rilindë frymën e një alternative entuziaste, mbështetur mbi parimin enverist të frikës së njeriut se mos katandiset më keq. Prandaj, nëse qytetarët nuk do të shohin mrekullitë e shpallura prej saj, le të kënaqen me shpresën “Prit më mirë e bëj shyqyr që s’po bie më keq”.
Por problem mbi problemet mbetet për qeverínë e re ekonomia. Ndaj njerëzit pyesin se si do t’u sigurohen atyre shërbimet shëndetësore falas? Ku do t’i gjejë qeveria e ré paratë ? Kurse të tjerë - u përgjigjen: “Përse të mos ia falin qeverisë së re kursimet e tyre gjithë ata që kanë më shumë dhe ia besuan premtimet? Se, a nuk u premtua nga pehlivanët e majtë taksa progresive? Pastaj, a nuk ia falte dje kështu populli kursimet e veta diktaturës që ia merrte dhe jetën? Jo! Nuk ka kalá që nuk e marrin pehlivanët, gjithë ata që dinë të premtojnë edhe ...ëndrra në diell!