E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pele kundër rrymës: “Duhet tavan pagash”



Për të ardhmen e futbollit, për gjeneratën e re të topkëmbës, duhet t’u vihet fre pagesave astronomike. Është ky apeli që legjenda braziliane, Pele, ka bërë nga Nigeria, në kuadër të promovimit të kandidaturës së Rio de Zhaneiros për Lojërat Olimpike të vitit 2016. “Në kohën time ishte gjithçka diçka tjetër, - tha Pele, 3-herë fitues i kampionateve botërore, - nuk kishim sponsor të mëdhenj prapa nesh. Ndërsa tani, janë ndërmarrjet e mëdha që mbështesin futbollin. Nga këndvështrimi im dhe atij të FIFA-s, pagat e lojtarëve duhet të jenë të kontrolluara”. Presidenti i FIFA-s, Jozef Blater, ka folur i shqetësuar kohët e fundit në lidhje me transferimet shumëmilionëshe në Europë, por nga ana tjetër ka mbështetur kalimin multimilioner të Kristiano Ronaldos nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit, si dëshmi e lojës së futbollit në termat e popullaritetit. Pele paralajmëroi se transferime në shumë kaq të mëdha parash po prishin të ardhmen e futbollit. “Nëse mere një lojtar sot, shkon te Mançesteri, Reali, Milani apo në një klub tjetër puth bluzën e atij klubi, - vazhdoi fuoriklasi brazilian, - dhe ditën tjetër shkon në një skuadër tjetër dhe e sheh duke puthur bluzën e asaj skuadre. Kjo nuk është një shenjë e mirë për të rinjtë”. Në të njëjtën linjë me Pelen pak ditë më parë ishte edhe presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. “Është diçka anormale, që më jep bezdi. Nuk kuptoj se si mund të shpenzojnë 90 milionë euro për një lojtar”. Ky ishte vlerësimi i presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, i pohuar në gazetën e madhe franceze “L’Equipe”, në lidhje me blerjet e tepër të shtrenjta të Realit të Madridit, veçanërisht ajo e portugezit Kristiano Ronaldo, ky i fundit u ble nga Reali në shumën prej 94 milionë eurosh, shuma më e madhe e paguar ndonjëherë në histori për një futbollist. “Klubet që realizojnë këto goditja i kanë me të vërtetë paratë për ta bërë? Është kjo filozofia”, - tha Platini. Ish-fantazisti i Juventusit bëri të ditur se UEFA është duke punuar për të përmirësuar, atë që francezi e quajti “fair-play” financiar. “Do të bëjmë patjetër diçka, jemi duke punuar”. Platini ka në plan që brenda 2-3 vjetësh do të vendosë një sistem kontrolli të regjimit financiar të klubeve që do të marrin pjesë në kupat evropiane. Nga ana tjetër, do të ketë edhe një “çati” në lidhje me pagat e lojtarëve dhe atyre të shpenzimeve, të cilat duhet të jenë në proporcion me të ardhurat e përgjithshme. Në fund të muajit gusht, masat e reja të moralizimit financiar do të shqyrtohen nga Komiteti Strategjik i UEFA-s, që përfshin edhe çështjet e ligjeve kombëtare të çdo vendi, klubet dhe përfaqësuesit e lojtarëve. Legjenda Pele është i imponuar në promovimin e Rios për Lojërat Olimpike 2016 (kandidatë janë dhe Çikago, Tokio dhe Madridi), teksa vendimi do të merret, më 2 tetor në Kopenhagen të Danimarkës. “Ka pasur Olimpiada në SHBA, Europë, por kurrë në Amerikën e Jugut. Të gjithë e dinë se Brazili është gati për Lojërat Olimpike”, - përfundoi “O Rei” (Mbreti).

Kanavaro: “Interi, favoriti kryesor”

Me blerjet e bëra deri tani Juventusi është konkurrues, edhe pse Interi qëndron qartë favoriti kryesor për kampionatin e ardhshëm. I këtij mendimi është Fabio Kanavaro. Blerja e re e bardhezinjvë italianë foli edhe për merkaton e Realit të Madridit, që sipas tij kanë bërë gjithmonë blerje të mëdha, duke shpenzuar pak, kjo sipas tij, dhe për shkak të sistemit fiskal spanjoll. Duke folur për Napolin, Kanavaro tha se është e nevojshme të rrisin të rinjtë dhe të bëjnë një figurë të mirë si vitin e kaluar.

Barça, strategji ndryshe nga Reali

Ndërsa Reali vazhdon serialin e goditjeve spektakolare në merkato, Barcelona nuk po ndihet aspak në merkaton e Ligës spanjolle, pasi ende nuk ka blerë asnjë lojtar. “Një strategji krejt e kundërt nga ajo që po ndjek kundërshtari i saj më i madh, Reali i Madridit”, por që mund të ndërpritet gjatë kësaj jave me blerjen e Vijës nga Valencia”, -shkruante gazeta sportive spanjolle “El Mundo Deportivo”. Sipas saj, presidenti i Barcelonës, Laporta, po tregohet i kujdesshëm për të ruajtur një ekuilibër të bilancit financiar, dhe është në pritje që merkato të ftohet pas shpenzimeve astronomike të Realit, që arrijnë në 210 milionë euro.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›