E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrojtja, reparti që vendos fatin e Vllaznisë

Në kampin shkodran nuk e shohin aspak punë të mbaruar kualifikimin. Beqiri: “Sligo luan një lojë të ashpër”. Belisha: “Shumë më e vështirë”

Vllaznia i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në turin e dytë eliminator të Ligës së Europës, kjo dhe falë fitores 2-1 në transfertën kundër Sligo Rovers (gol i Smajlajt dhe autogol i Kinit), njëhërësh edhe e katërta historike e klubit shkodran, por dhe e para e një klubi shqiptar në Ligën e Europës, duke u nisur nga fakti se Dinamo humbi thellësisht 4-1 me finlandezët e Lahtit.
Në kampin shkodran nuk e shohin punë të mbaruar kualifikimin, madje e konsiderojnë ndeshjen e kthimit akoma edhe më të vështirë, pasi nëse në takimin e parë dy skuadrat ishin të panjohura për njëra-tjetrën, tanimë e kanë një “fotografi” ndaj kundërshtarëve respektivë.
Statistikat e viteve të fundit i japin të drejtë Vllaznisë, pasi në tre edicionet e fundit, skuadra shkodrane e ka kaluar turin e parë kualifikues: 2004-2005, Kupa Intertoto (kundër izraelitëve të Hapoel Bear Shevës), 2007-2008, Kupa Intertoto (kundër kroatëve të Nk Zagreb) dhe në edicionin 2008-2009, Kupa UEFA (kundër sllovenëve të Koperit), ndërkohë që numri total i kualifikimeve të kuqebluve shkon në pesë, përfshirë ato në Kupën e Kampioneve (2001-2002) dhe Kupën e Kupave (1987-1988).
Mesfushori Amarildo Belisha, një nga lojtaret kyç të Vllaznisë, e vlerësoi kundërshtarin, që sipas 28-vjeçarit, “ka lojtarë mjaft të mirë, të cilët luajnë fort për topin e parë”. “Do të jetë një punë e vështirë, - tha ai për mediat sportive. “Mundësitë tona janë reale, por nuk duhet ta bëjmë punë të kryer”.
Në fakt, irlandezja Sligo Rovers e drejtuar nga Pol Kuk, ka në gjirin e saj disa lojtarë anglezë. Të dielën e kaluar, Sligo Rovers barazoi në shtëpi 2-2 me Drogedën (golat nga Kretaro dhe O’Grady).
Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, do të ketë në dispozicion për ndeshjen e kthimit mbrojtësin kroat Marko Bashiç, një kartë më shumë në duart e teknikut, sidomos në vijën mbrojtëse, ku shkodranëve nuk u lejohet të pësojnë më shumë se një gol.
Mbrojtësi i njohur Elvin Beqiri, thotë: “Shumëkush e quan të lehtë ndeshjen e kthimit, por kundërshtari ynë luante një lojë të ashpër dhe të fortë. Tani na duhet ta administrojmë rezultatin”.
Ndeshja e kthimit, Vllaznia-Sligo Rovers (20:00), do të gjykohet nga “xhaketa të zeza” malteze të kryesuar nga Marko Borg (ndihmës të tij janë Ingmar Spiteri dhe Mariano Debono). Në rast se Vllaznia do të kualifikohet për në turin e dytë, atëherë do të përballet me austriakët e Rapidit të Vjenës, të drejtuar nga Peter Pakult, një ish-kandidat për stolin e Kombëtares shqiptare.

4
fitore ka arritur jashtë fushe Vllaznia. Fitorja e parë e Vllaznisë rezulton ajo e Kupës së Kupave ndaj maltezëve të Sliema Vanderers (0-4). Dy fitoret e tjera të kuqebluve në transfertat evropiane janë ndaj izraelitëve të Hapoel Beer Sheva (0-3, rezultat tavoline) në Kupën Intertoto 2004 dhe ndaj sllovenëve të FC Koper (1-2) vitin e kaluar në Kupën UEFA.

LIGA E EUROPËS
Turi i parë kualifikues
NDESHJA E PARË
2 korrik 2009

Sligo-Vllaznia 1-2
Shënues: Kretaro 89’ (p)/ Smajlaj 69’, Kean 75’ (autogol)

NDESHJA E DYTË
9 korrik 2009
Vllaznia-Sligo (20:00)

SI KUALIFIKOHET
VLLAZNIA

Skuadra shkodrane kualifikohet me irlandezët e Sligo Rovers me çdo lloj fitoreje dhe barazimi në “Loro Boriçi”, por dhe me një humbje minimale 0-1. Nëse humbet 1-2, ndeshja shkon në shtesa. Nëse humbet 2-3, kualifikohet Sligo Rovers.

Kthehet Tirana, por pa Shaqirin

Tirana përfundoi fazën e përfundoi dje pjesën e parë të fazës përgatitore në Ohër të Maqedonisë. Trajneri kroat Ilija Lonçareviç mbeti i kënaqur nga përkushtimi i lojtarëve, por dhe nga forma e treguar gjatë dy miqësoreve të zhvilluara, ku Tirana fitoi 6-0 me Vllaznimin dhe 7-0 me Strugën. Edhe pse u fol se 24-herë kampionët e Shqipërisë do të firmosnin me sulmuesin e njohur Artim Shaqiri, 35 vjeç, i pëlqyer edhe nga vetë trajneri kroat, shqiptari nga Maqedonia nuk erdhi bashkë me skuadrën në Tiranë. Burime nga kampi i rekordmenëve shqiptarë pohuan se kërkesa e lartë financiare e ish-sulmuesit të Besës dhe një duzine ekipesh në Maqedoni, Angli, Zvicër e Azerbajxhan, nuk pajtohen me kushtet e ofruara nga Tirana. Pas pushimit të ditës së sotme, Tirana do të rinisë stërvitjen ditën e enjte, në kuadër të përgatitjeve të fundit përpara se të përballet me norvegjezët e Stabekut javën tjetër. Objektivi i Tiranës është kalimi i turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve.

Kuzhe, “skaner” ndërkombëtar” para Qipros

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, do të mbërrij sot në Tiranë, ku në programin e tij është ndekja e një prej ndeshjeve të kthimit të turit të parë kualifikues të Ligës së Europës, Vllaznia-Sligo Rovers (stadiumi “Loro Boriçi”, ora 20:00) ose Dinamo-Lahti (“Qemal Stafa”, ora 19:00). Së fundi, kroati ishte i pranishëm në Lojërat Mesdhetare “Pescara 2009”, ku ndoqi dhe mbeti i zhgënjyer nga përformanca e Kombëtares U-20, që humbi 2-1 me Tunizinë dhe 3-0 me Spanjën. Në programin e pasuesit të Ari Hanit është edhe Tirana-Stabek (14 korrik, e vlefshmë për turit të dytë eliminator të Ligës së Kampioneve) dhe Flamurtari-Moteruell/Lanel (15 korrik, e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Europës). Në muajin gusht (12), Shqipëria A do të përballet në një miqësore me Qipron, ndërkohë “skaneri” i Kuzhes i ndeshjeve të korrikut do t’i kushtohet tërësisht lojtarëve të Kombëtares nga kampionatin shqiptar, apo kandidatëve të rinj për fanellën kuqezezë.

8 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›