I riu në gjyq,trafikoi pesë armë nga Kosova
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë në cilësinë e të pandehurit 25-vjeçarin Fatri Gërmizi, i cili akuzohet për veprën penale trafik armësh. Lajmi konfirmohet nga burime të organit të akuzës, të cilat thanë se prokurorja Erviola Stoja përfundoi hetimet e procedimit penal ndërsa fashikulli është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për shqyrtimin e provave të grumbulluara në fazën e hetimeve paraprake. Fatri Gërmizi, 25 vjeç, lindur në fshatin Bardhoc dhe banues në qytetin e Kukësit, është arrestuar më 13 tetor 2008 rreth orës 16:00 në vendin e quajtur Fushë-Dukagjin në aksin rrugor Kukës-Qafë-Shllak. Në këtë zonë policia kishte marrë masa duke vendosur grupet e gatshme, të cilat pasi kanë kontrolluar makinën e të dyshuarit kanë gjetur në automjetin tip furgon Ëolksvagen me targa 154 KS 759 me drejtues Fatri Gërmizin, 5 copë pistoleta "Zastava Minibloë". Menjëherë pas kontrollit armët e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale ndërsa dosja penale i kaloi për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet. Kjo e fundit ka përfunduar veprimet hetimore dhe dosjen penale e dorëzoi për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.