Pëllumb Xhufi bashkë me PS-në

-Pëllumb Xhufi, zëvendëskryetari i LSI-së, në një intervistë për “Korrierin” nuk përjashton bashkëpunimin me PS-në në 2009-ën. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së deklaron se forca politika ku ai militon, do të kërkojë fuqishëm që në Kodin Zgjedhor të sanksionohet korrektimi kombëtar në sistemin proporcional rajonal dhe përfaqësim të të gjitha forcave politike në komisionet zgjedhore. Mbështetja e PS-së për këto dy kërkesa, mund të bënte që LSI-ja të mund të rishikonte marrëdhëniet me socialistët. “Natyrisht që do të ishte një gjest pozitiv, që nuk do të kalonte pa u vënë re e pa u vlerësuar. Nuk është kurrë i përjashtuar bashkëpunimi, dhe natyrisht çdo hap ka rëndësinë e vet për të ndryshuar klimën, për të krijuar premisat për një bashkëpunim, që të mbështetet sigurisht mbi principet”, - shprehet, Pëllumb Xhufi. Ai deklaron se hartimi dhe miratimi i Kodit brenda muajit korrik, nëse ritmet e punës së komisionit vazhdojnë të jetë të tilla, është i parealizueshëm.
Kanë kaluar disa muaj që ka një përplasje mes LSI-së e PS-së, që le të themi ndihet edhe në bazë, ku ka herë pas here lëvizje njerëzish. Mendoni se do të vazhdojë kështu deri në 2009-ën?
“Është e natyrshme të reflektohen edhe në bazë fërkimet apo përplasjet që ndodhin në kreun e forcave tona politike. Janë dy arsyet për të cilat ne kemi pasur një ndarje me PS-në. Është zgjedhja në radhë të parë, që lidershipi i PS-së bëri për të mohuar marrëveshjen që kemi pasur dhe që nxori fitues të gjitha forcat e opozitës në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2007, zgjedhjet vendore. E dyta, janë disa iniciativa apo edhe forma, duke filluar nga ajo elektorale, duke vazhduar pastaj tek ndryshimet kushtetuese, siç po duket edhe në reformën në drejtësi, për të cilat ne kemi qenë absolutisht kundër. Kemi qenë kundër, sepse në radhë të parë, ato dëmtojnë të majtën, e kam fjalën për ligjin elektoral. Dëmtojnë të majtën në vitin 2009 dhe i japin avantazh Sali Berishës në përzgjedhjen e modelit zgjedhor, që është proporcionali rajonal, i cili quhet ndryshe spanjoll. Krijon probleme brenda së majtës që ka një synim, që dikush e pashprehur edhe hapur, që është eliminimi i të ashtuquajturave parti të vogla. Në fund të fundit, nuk krijon premisat për të realizuar atë që është edhe detyrim i Shqipërisë: zgjedhje të lira e të ndershme. Sistemi proporcional rajonal krijon kushtet për të institucionalizuar një “Dushk” tjetër, në përmasa edhe më të mëdha, vetëm se natyrisht i mbështetur në ligj. Problemi tjetër parimor për ne ishin ndryshimet kushtetuese. Kanë qenë të turpshme për vetë procedurën. U bënë ndryshime pa u konsultuar, pa minimumin e transparencës, duke injoruar institucionet dhe, për fat të keq, vetë PS-ja e pranoi që ato ndryshime kushtetuese, që përmbysin sistemin, tronditën bazat e sistemit dhe janë bërë në këmbim të ligjit elektoral. Unë mund të them edhe një gjë, që dje Parlamenti ka bërë një ndryshim mes të tjerëve në Rregulloren e Kuvendit, ku përcaktohen procedurat për ndryshimet kushtetuese në të ardhmen. Janë procedura mjaft të mira, duke filluar me sigurinë e transparencës, krijimin e një forumi të përbërë nga dy komisione për realizimin e një gjëje të tillë, gjetjen e mjeteve për të informuar publikun, natyrisht edhe prezenca e përhershme e publikut dhe e mediave në debatet e kij forumi. Asnjëra nga këto nuk u zbatua për ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Unë mendoj se duhet t’iu vijë turp të gjithë atyre që kanë hartuar këtë ndryshim të rregullt e të duhur në rregullore, por janë të njëjtët ata që nuk kanë zbatuar asnjërën nga pikat e këtij amendamenti para disa muajsh kur kaluan ndryshimet kushtetuese”.
-Cilat janë propozimet që do të çoni në Komisionin e Kodit Zgjedhor?
“Lidhur me kodin, gjërat do të duhet të diskutohen në komisionin e posaçëm, që është krijuar e që është mbledhur vetëm një herë. Përfaqësuesit e të dyja forcave të mëdha politike kanë konfirmuar faktin, që kodi duhet të përfundojë brenda sesionit parlamentar, pra brenda muajit korrik. Jemi shumë mbrapa. Absolutisht shumë mbrapa dhe me këto ritme sigurisht nuk do të realizohet ky objektiv. Për sa i përket pastaj përmbajtjes së kodit, propozimi ynë kryesor ka të bëjë me dy gjëra: me mundësinë aplikimit të një korrektimi kombëtar në modelin që është zgjedhur, dhe kjo është mëse e mundur. Kjo është dhe për të respektuar principin e sistemit proporcional, që është “numri i vendeve në Parlament, i cili përputhet plotësisht me numrin e votave që ke marrë”. Në këtë aspekt mund të bëhet ky korrektim dhe mënyrat e realizimit mund të jenë të ndryshme. Çështja e dytë për të cilën ne do të insistojmë, është përbërja e komisioneve zgjedhore. Këtu absolutisht ne do të insistojmë me forcë, që komisionet të mos drejtohen nga dy partitë e mëdha. Kjo gjë ndodhi në zgjedhjet e 2005-ës dhe i pamë produktet, kështu që do të insistojmë me forcë që në këto komisione të përfaqësohen partitë parlamentare, siç u përfaqësuan në zgjedhjet lokale”.
-Nëse këto dy kërkesa tuaja pranohen nga PS-ja, a mund të jetë kjo një mundësi për t’u afruar sërish e për të rifilluar bashkëpunimin në 2009-ën?
“Nuk është kurrë i përjashtuar bashkëpunimi, dhe natyrisht çdo hap ka rëndësinë e vet për të ndryshuar klimën, për të krijuar premisat për një bashkëpunim, që të mbështetet sigurisht mbi principet. Në këtë aspekt, nëse PS-ja do të ndryshojë qëndrim e do të mundohet t’i afrohet edhe vetë frymës së sistemit, që ajo vetë zgjodhi duke siguruar atë korrektimin e mundshëm që mund të bëhet, gjithashtu edhe duke siguruar një përfshirje në komisione, natyrisht që do të ishte një gjest pozitiv, që nuk do të kalonte pa u vënë re dhe pa u vlerësuar. Gjithsesi, bashkëpunimi nga momenti që është zgjedhur një sistem i tillë, i cili e përjashton bashkëpunim parazgjedhor, në kuptimin organik dhe parakupton një bashkëpunim pastaj pas zgjedhjeve, ku secili paraqitet me rezultatin e tij dhe aty ndërtohen koalicionit. Natyrisht, i takon fazës paszgjedhore që ky bashkëpunim të zhvillohet në formën e tij më të plotë”. saqellari@korrieri.com