E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas operacionit. mjeku iku menjëherë në Kosovë

Zyra Ago, gruaja që denoncoi heqjen e veshkës në prokurori, lëshon akuza të rënda për kirurgun Kastriot Dautaj. Bindja e gruas se veshka mund ti jetë shitur dhe si mësoi se kishte fituar betejën e parë të luftës kundër mjekut që e kishte operuar

Zyra Ago, e operuar prej 5 vitesh në veshka, denoncon në një intervistë mjekun urolog Kastriot Dautaj, pasi sipas saj, ai i ka hequr veshkën që funksiononte më mirë, pa i thënë më parë asaj ose të afërmve të saj. Ago sqaron se menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjeku është nisur drejt Kosovës, pasi sipas personelit shëndetësor, “kishte një mbledhje urgjente”. Vetëm tre vite pas operacionit, 52-vjeçarja shkoi të vizitohej, për shkak të një tromboze në këmbë, por mjeku i EKO-s i tha se i mungonte njëra veshkë. E alarmuar, ajo shkoi tek mjeku Dautaj, por ai, sipas saj, nuk e përfilli shumë, ndaj ajo iu drejtua shefit të pavijonit, i cili e rekomandoi t’i drejtohej ministrit të Shëndetësisë, Leonard Solisit. Edhe pse shkoi në Prokurorinë e Tiranës, çështja u mbyll shumë shpejt, pa marrë vesh askush asgjë. Në një intervistë të plotë, Zyraja tregon sesi e mori vesh lajmin e arrestimit të mjekut dy ditë më parë, si dhe kërkon ndihmë për zbardhjen e çështjes së saj.

-Zonja Zyra, sa kohë keni që jeni operuar në veshka?

“Jam operuar nga gurët në veshka të paktën 5 vite më parë, nuk e mbaj mend saktë datën, por e kam të shënuar në një dosje që ndodhet tek njerëzit e mi, pasi një kopje të saj e kam dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda prej 6 muajsh. Pasi pa EKO-n, mjeku Kastriot Dautaj vendosi të më operonte, duke më siguruar se nuk bëhej fjalë për ndonjë operacion të rëndë, por duhej bërë patjetër. Në këto kushte, vendosa të operohesha. Kam hyrë në sallën e operacionit në orën 08:00 të mëngjesit dhe kam dalë prej andej në orën 11.00 të mesditës. Katër familjarë më prisnin tek dera. Sapo dola nga salla, më dërguan tek dhoma numër 6, ku kanë ardhur vetëm kryeinfermierja dhe infermierët për të më shërbyer, ndërsa mjeku që më operoi, Kastriot Dautaj, nuk erdhi asnjëherë. Pyeta kryeinfermieren pas shtatë ditësh, se cila ishte arsyeja që mjeku nuk vinte për të më parë, dhe ajo më tha që, sapo isha operuar, doktor Dautaj kishte ikur me avion në Kosovë, pasi kishte një mbledhje. Kam kërkuar epikrizën dhe kryeinfermierja e spitalit më tha që nuk ka formularë të gatshëm për epikrizë që ta plotësonte”.

-Kur e morët vesh që mjeku ju kishte hequr veshkën?

“Pas tre vitesh e kam marrë vesh. Këmba e majtë më shfaqi trombozë, ndaj u nisa nga Laçi në Tiranë me urgjencë. Kërkova mjekun që më kishte operuar, por nuk erdhi të më shikonte. Më ka bërë EKO-n një mjek me emrin Genci, mbiemri nuk më kujtohet. Pasi më ka kontrolluar, më tha” “Zyra, ti nuk e ke njërën veshkë”. Aty sa nuk vdiqa nga meraku. Mjeku që më bëri EKO-n këmbënguli, duke kërkuar që të vinte ta shikonte edhe mjeku Kastriot Dautaj gjendjen time. Erdhi doktor Kastrioti dhe menjëherë m’u afrua dhe më tha: “Zyra, duhet të krenohesh me njerëzit e tu, të cilët të kanë shpëtuar jetën, pasi tromboza është vdekjeprurëse”. Aty kam debatuar me të, por ai as më përfilli. I kërkova epikrizën, por nuk pranoi të ma jepte. Kam ardhur nga Laçi në Tiranë 12 herë për të marrë epikrizën, që të paktën të paguhesha si invalide, por Kastriot Dautaj as nuk pranonte të më takonte. Herën e 13-të e kam takuar tek dhoma e kryeinfermieres, ku Kastriot Dautaj i dha asaj një fletë të bardhë, që nisi ta plotësojë me shkrim dore, ndërsa mjeku i fliste. Prej aty kam vajtur tek shefi i pavijonit, Mustafa Xhani, me një tufë letrash që kisha mbledhur dhe i tregova historinë time, pra sesi e mësova pas tre vjetësh nuk e kisha më veshkën, ndërsa mjeku nuk më jep epikrizën. Xhani më tha: “Duhet të shkosh tek ministri”. I thashë se kur jam operuar unë, ju keni qenë ministër, ndërsa tani keni ndërruar vendet me Leonard Solisin, kështu që nuk kam më besim tek ju. Ai u çua në këmbë dhe më tha: “Ti, moj motër, me këto letra dhe këtë problem që ke, duhet t’i drejtohesh prokurorisë”. Ndaj unë shkova në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas gjashtë muajsh hetime e ka mbyllur çështjen, nuk e di se me çfarë ligji, madje kur i kam kërkuar prokurores së çështjes të më ballafaqonte me doktor Kastriotin, ajo nuk ka pranuar”.

-Para operacionit, a ju mjeku që do t’ju hiqte veshkën?

“Jo, nuk më tha as mua dhe as familjarëve të mi, që nuk ishin pak. Madje, për këtë, personave që kanë qenë aty u kam marrë edhe një deklaratë, sipas së cilës mjeku nuk u ka thënë gjë. Madje, sapo ka dalë nga operacioni që më bëri, i ka dhënë bashkëshortit tim edhe gurët, që sipas tij m’i kishte hequr nga veshkat, të cilët i mbaj akoma në shtëpi. Unë nuk do e ndiqja këtë problem, sikur Kastriot Dautaj t’u thoshte njerëzve të mi që ma ka hequr edhe veshkën, e t’ua tregonte që ishte e prishur. Madje, edhe sikur të thoshte “kam gabuar, kam prerë një venë apo arterie dhe e hoqa veshkën se s’kisha ç’bëja”, unë do e falja. Por jo ta marr vesh pas tre vitesh, dhe ai të mos më kërkojë të paktën të falur, por më drejtohet duke më përbuzur, duke u tallur me jetën time. Këtë nuk ia fal kurrë”.

-A keni insistuar ju në organet e drejtësisë për të kërkuar të drejtën tuaj?

“Kam denoncuar Kastriot Dautajn edhe tek Urdhri i Mjekut, por nuk kam gjetur zgjidhje. Më pas kam insistuar sërish që të dalë e vërteta, por nuk kam gjetur përkrahje. Para gjashtë muajsh më ka marrë në telefon një prokuror i Krimeve të Rënda, që dua ta falënderoj, me emrin Ismail dhe më tha: “Ti je Zyra Ago?”. “Po”, -

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›