Pëllumba? Jo, skifterë!

Të qenit i ashpër, arrogant dhe fyes është një premisë suksesi dhe karriere të shpejtë politike. Të qenit i butë, konstruktiv dhe i rezervuar në sharje për kundërshtarin, merret si shenjë dobësie, pasiviteti dhe mungese pigmenti
Nga Skënder
Minxhozi
Mënyra sesi kriza e gjatë elektorale u pretendua se u
zgjidh në Parlament, la një shije të hidhur në shumë gojë shqiptare dhe të
huaja. Ngritja e një komisioni hetimor, ku marrin pjesë ata që i kanë lavdëruar
zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat, kurse ata që në fakt kanë kërkuar
hetimin kanë mbetur jashtë, është prova më e mirë e absurdit që vazhdon të
mbështjellë klasën tonë politike. Ndërsa dy misione të huaja sillnin në Tiranë
ultimatume për gjetjen e një kompromisi, askush nga aktorët kryesorë të krizës
nuk ia vinte veshin këshillave dhe kërcënimeve. Stefan Fyle pati fatin e Mevlut
Çaushoglusë, ndërsa PD e PS vendosën edhe një herë se tensioni politik nuk
është i mjaftueshëm për të gjetur një zgjidhje. Duhet temperaturë më e lartë,
për të sjellë shkrirjen e akujve! Cinike, por e vërtetë.
Kjo qasje e dyanshme, por që në fakt ka si violinë të parë Qeverinë, e pas saj
opozitën, reflekton një problem të vjetër të klasës sonë politike. Ndërsa po
përmbyllim kuadrin e ngritjes së sistemit, të rregullave të lojës (në letër),
ndërsa aprovojmë ligje prej njëzet vjetësh dhe ngremë institucione në të gjitha
katet e shtetit, kemi lënë të paprekur kodin e komunikimit politik, aparatin e
dhunës verbale, mungesën totale të tolerancës dhe paaftësinë e pashërueshme të
të bërit kompromis dhe të të gjeturit zgjidhje. Si të thuash se kemi ndërtuar
hotele e restorante të shtrenjta, por shërbimi dhe gatimi në to vazhdon të jetë
mizerabël.
Kjo krizë elektorale është shumë e vjetër dhe e ngjashme në këtë aspekt me ato
të dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetëve më parë. Pas pauzës së shkurtër të vitit
2002, pas premtimeve për një linjë të re politike në vitin 2005, sot jemi
kthyer në formatin e vjetër të politikës së frëngjive, prej ku snajperët
politikë gjuajnë kohë pas kohe njëri-tjetrin.
Ska dyshim se gjetja e një kompromisi mbi krizën aktuale është një ushtrim i
vështirë politik. Asnjë kompromis politik nuk është i lehtë. Por, kur kultura e
kompromisit thjesht mungon, asnjë marrëveshje smund të arrihet.
Jeta jonë politike vazhdon të dominohet nga skifterët. Jo vetëm seanca e fundit
parlamentare, jo vetëm deklarimet e përditshme, jo vetëm qasja brutale që klasa
politike bën ndaj agjendës së ditës, por përgjithësisht ajri që thithet në
ambientin politik, është i mbarsur me fatalitetin e përplasjes, të betejës së
pandërprerë, të konfliktit dhe krizës me çdo kusht. Pakkush ka shpresuar se nga
seanca parlamentare në fjalë do të dilte një zgjidhje çfarëdo. Sepse shumëkush
ka ditur në avancë se cila është sjellja dhe taktika e vetme që buron nga
kultura e konfliktit që përfaqësojnë politikanët kryesorë të vendit. Berisha
dhe Nano e Meta dikur, tani Berisha, Meta dhe Rama, po i japin formë një show
të gjatë politik, ku qëndrimi refraktar dhe kundërshtimi i gjithçkaje qëndron
në themel të sjelljes politike. Soji i skifterëve politikë në Shqipëri, është
një rudiment i dekadës së parë të tranzicionit, ku kundërshtarët futeshin në
burg dhe gazetat digjeshin. Ky komportim i sotëm është një variant i ndryshuar
i luftës kundër komunizmit, një fushate absurde të konceptuar nga ish-komunistë
dhe ish-karrieristë të Partisë së Punës, të konvertuar në antikomunistë. Të
drejtën e autorit të këtij mutacioni e mban zoti Berisha (e për shkak të tij
edhe disa prej përkrahësve, por edhe kundërshtarëve të tij politikë), i cili
frymëzoi më pas një gjeneratë të tërë politikanësh, djathtas dhe majtas, të
cilët kanë krijuar sot një rreth vicioz ku gjithmonë fitojnë të fortët dhe
ekstremistët. Kjo ligjësi bëri që edhe në zgjedhjet e fundit, eksperimenti i
Edi Ramës për të fituar nëpërmjet një fushate të butë, të dështojë, duke i
sugjeruar kreut të PS që të rikthejë sytë nga linja e ashpër.
Politikanët shqiptarë janë shumë të lexueshëm në ekstremizmin e tyre gjenetik.
Të qenit i ashpër, arrogant dhe fyes është një premisë suksesi dhe karriere të
shpejtë politike. Të qenit i butë, konstruktiv dhe i rezervuar në sharje për
kundërshtarin, merret si shenjë dobësie, pasiviteti dhe mungese pigmenti.
Njëlloj si në kohën e komunizmit, kur ekstremistët (atëherë quheshin sektarë),
ishin gjithnjë më pak të rrezikshëm dhe të qortueshëm sesa liberalët. Për të
parët mjaftonte një kritikë, për të dytët shpesh ilaçi i vetëm ishte
persekutimi e dënimi ekstrem.
Tradicionalisht ka fituar ai që shan e bërtet, para atij që arsyeton dhe flet.
Ka triumfuar thuajse përherë linja e forcës mbi linjën e logjikës. Një ndër
shembujt absurdë të kohëve të fundit është ai i PD së Tiranës, në majin e
shkuar, ku mes një kandidati që përdorte fjalën e fundit ndaj mafies së kuqe
dhe atij që nuk ishte i dhënë pas këtij zhargoni, fitoi pa asnjë mëdyshje i
pari. Jo vetëm kaq. Mes të dyve është krijuar sot një hendek i qartë
karrierash, ku ish-kandidati i parë ka fituar gjithçka në sytë e partisë së
tij, kurse i dyti është margjinalizuar në mënyrë absurde.
Në inkubatorët partiakë, aty ku rriten e marrin formë karrierat politike,
metoda kryesore për të kapur me dorë suksesin është sulmo fort dhe mos i lërë
kundërshtarit asnjë hapësirë. Skifterë në vend të pëllumbave. Ja çfarë duhet
të dalin nga vezët e paçelura. Përkundër shprehjes së njohur britanike lëri
gjithmonë një shteg armikut tënd për të shpëtuar faqen, në jetën politike që
zuri fill pas vitit 1990 në Shqipëri, kultura e dhunës verbale dhe e denigrimit
me çdo kusht e mjet të kundërshtarit, ka zënë rrënjë të thella që duket se nuk
do të zhduken edhe për shumë kohë. Të qenit i moderuar vazhdon të merret si një
mëkat i pandreqshëm dobësie, si një defekt gjenetik që çon tek mossuksesi, si një
premisë e patjetërsueshme kapitullimi përballë transhesë tjetër. Më mirë të
jesh grotesk në ato që thua, të shash pa doganë dhe pa dallim, pa argumente dhe
gramatikë, sesa të jesh i butë. Që do të thotë, me syzet e partive të mëdha i
dobët!