E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Apolonia-Kastrioti pranë rënies, Laçi dhe Tirana në Evropë

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Laçi dhe Tirana iu bashkuan dyshes Dinamo-Besa në kompeticionet evropiane, ndërsa Apolonia pas humbjes me Vllazninë në Fier është thuajse e rënë nga Kategoria Superiore. Daniel Xhafaj u ngjit në kuotën e 17 golave, dy më shumë se Mlladen Bërkiç i Apolonisë, duke qenë shumë afër fitimit të “Këpucës së artë”. Kategoria thuajse vendosi verdiktet e saj pas javës së 32-të kampionatit të 67-të kombëtar të futbollit. Dinamo kampione, kësaj radhe në derbin me Tiranën, ndërkohë që bardheblutë janë mjaftuar me ritmin “evropian”, ashtu si edhe Laçi, që ka mundur në shtëpi Skënderbeun e Korçës. Nuk ka falur nënkampionia e vendit për këtë edicion, por edhe fituesja e Kupës së 58-të të Shqipërisë, Besa e Kavajës, që ka shpërthyer në gola ndaj Gramozit të rënë prej disa javësh një kategori më poshtë. Në stadiumin e Kavajës ka qenë edhe një monolog mes Daniel Xhafës dhe kolonjarëve, ku labi verdhezi ka shënuar 3 gola, duke vënë kandidaturën e vet serioze për kryegoalshënuesin e kampionatit të superiores. Normalisht, pa “gola nderi” nuk kanë mbetur edhe kolonjarët, të cilët kanë realizuar 4 herë në kuadratin e Orges Shehit. Humbje shokuese dhe që i ndërlikon jashtë mase pozitat e Apolonisë kanë shënuar fierakët në shtëpi, në stadiumin “Loni Papuçiu”, ku Bala i kuqebluve ka qenë njeriu i fitores, me golin e shënuar në pjesën e dytë. Apolonia mbetet në kuota të njëjta me Kastriotin, fare pranë zonës që të dërgon direkt në kategorinë e parë, ndaj ndeshja e javës së fundit do të jetë “jetë a vdekje” në Ersekë. Në Durrës ka marrë një fitore qetësie Teuta, që akoma rrezikon mbijetesën, sepse do të luajë javën e ardhshme në Shkodër, ndaj Vllaznisë. 3 golave të durrsakëve, të realizuar qysh në pjesën e parë, u është kundërpërgjigjur Memelli, me penallti, edhe ai duke vënë kandidaturën e vet për kryegolashënues të superligës. Flamurtari ka siguruar mbijetesën tashmë, kështu që nuk është sforcuar fare ndaj “djemve të detit”, duke mos u prishur punë durrsakëve, të cilët mbeten në vorbullën e luftës për mbijetesë deri në fund. Në Peqin, Shkumbini ka triumfuar pastër, 2-0, ndaj Kastriotit, duke siguruar qetësinë e plotë për qëndrimin në superligë, ndërkohë që ka fundosur krutanët. Këta të fundit nuk kanë arritur të marrin dot asgjë në Peqin, në një transfertë të vështirë. Me këtë humbje, Kastrioti rrezikon jashtëzakonisht, bashkë me Apoloninë, për tiu bashkangjitur direkt Gramozit në kategorinë e parë për edicionin e ardhshëm. Do të jetë ndeshja e fundit, në Krujë, me Laçin, ajo që do të përcaktojë shumë gjëra, por krutanët duket se do ta kenë mjaft të vështirë, teksa shpresa e tyre mbetet vetëm “play-out”-i, të cilit nuk i shpëtojnë dot as matematikisht.
Në Laç, skuadra vendase ka vijuar të fitojë, por edhe të prodhojë futboll të ndershëm, pa pazare, duke mos e mëshiruar aspak Skënderbeun, qoftë edhe me një barazim. Ndoshta në këtë qëndrim të kurbinasve ka ndikuar edhe fitorja e Tiranës në kryeqytet, e cila është rivalja direkte e kurbinasve për vendin e tretë dhe zonën evropiane. Kësisjoi, Laçi ia ka bërë shërbimin fitores, ku golashënues ka qenë Nora, pasi javën tjetër do të udhëtojë në Krujë, ku pikët ndaj Kastriotit vendas duken mision i pamundur. Njëkohësisht, Laçi ka fiksuar tashmë edhe një sukses historik për të, sigurimin e pjesëmarrjes në Kupat e Evropës. Javën e ardhshme, që do të luhet të mërkurën e javës që vjen, do të luhet “akti” i fundit i këtij kampionati, ku do të përcaktohen edhe verdiktet zyrtare të kësaj gare. Dinamo do të festojë zyrtarisht titullin e kampiones në “Qemal Stafa”, në ndeshjen ndaj Besës, me të cilën ka rivalizuar në dy fazat e para për këtë trofe, ndërsa dy pjesëmarrëset në Evropë, Laçi dhe Tirana, do të luajnë në transferta, ku pritësit kanë nevojë jetikë për pikët maksimale. Laçi do të luajë në krujë me Kastriotin, ndërsa bardheblutë do të udhëtojnë drejt Korçës, për tu ndeshur me Skënderbeun.

Kategoria Superiore
Java 32
(14.05.2010)
TIRANA-DINAMO 3-2
Shënues: Muzaka 55′ (pen), 76, Plaku 61′ / Malota 69, Bakaj 82
Gjyqtar: E.Jorgji

BESA-GRAMOZI 6-4
Shënues: Sinani 21, D.Xhafaj 39′, 48′, 70, Shtini 65, Mancaku 72 / Olivera 5 (pen), Caka 75, Ngjela 88
Gjyqtar: S.Jareci

LACI-SKENDERBEU 1-0
Shënues: Nora 61
Gjyqtar: L.Alla

SHKUMBINI-KASTRIOTI 2-0
Shënues: Caushaj 26 (pen), Gerbovic 71
Gjyqtar: K.Meta

TEUTA-FLAMURTARI 3-1
Shënues: Mile 19′, 33′, Hodo 38′ / Memelli 58 (pen)
Gjyqtar: E.Peza

APOLONIA-VLLAZNIA 0-1
Shënues: Bala 61
Gjyqtar: L.Jemini

Renditja pas javës së 32-të
1. DINAMO 58 pikë
2. BESA 53 pikë
3. LACI 51 pikë
4. TIRANA 51 pikë
5. VLLAZNIA 46 pikë
7. FLAMURTARI 44 pikë
8. TEUTA 42 pikë
9. SKENDERBEU 41 pikë
10. KASTRIOTI 39 pikë
11. APOLONIA 38 pikë
12. GRAMOZI 23 pikë

Kategoria I, sot java e verdiktit

Me tetë ndeshjet e javës së 30-të, Kategoria e Parë do të mbyllë sot sezonin pasi të këtë dhënë edhe verdiktet përfundimtare të saj: dy skuadrat që do të ngjiten direkt në Superligë (Bylisi, si kampion); dy skuadrat e tjera që do të luajnë në playof (me vendet 9-10 të Kategorisë Superiore). Verdiket do të jepen edhe për dy skuadrat që do të bien direkt (Sopoti, dhe një skuadër tjetër) e dy skuadrat që do të luajnë në plejout me vendet e dyta të grupit të Veriut dhe Jugut për të vazhduar në të Parën.
ELBASANI-BYLIS
Një ndeshje tepër e ndezur, si me festimet e Bylisit që do të luajë në “Ruzhdi Bizhuta”, ndaj një Elbasani që me një fitore kundër kampionëve të Kategorisë së Parë do të rikthehej direkt në elitën e futbollit shqiptar pas një sezoni mungesë. Dy kampet kanë lëshuar shumë deklarata dashurie ndaj njëri-tjetrit. Aleancat mund të shërbejnë shumë dhe në Kategorinë Superiore. Elbasani ka po aq pikë sa Kamza dhe një barazim me Bylisin, e shoqëruar edhe me fitoren e kamzalinjve, do ti çonte direkt verdheblutë në zonën plejof. E ndaluar të lërë pikë.
KAMZA-TURBINA
Kamza vjen në përballjen me Turbinën e Cërrikut pas tetë fitoresh rresht, ku ajo e fundit, ndaj Luftëtarit në Gjirokastër është shndërruar në një “çështje të nxehtë” me akuza e kundërakuza për trukime. Gjithsesi, Kamza është përpara një arritje historike dhe do të luajë të gjitha kartat për të mbyllur 90 minutat me një fitore që do ta çojë në zonën plejof. Edhe Turbina e ka një mision në Kamëz, duke qenë me sy e veshë nga përballja Gramshi-Luftëtari, pavarësisht se gramshiotët kanë 99.99 për qind shanse për të mbijetuar në të Parën.
LUSHNJA-BESËLIDHJA
Në fazën e dytë, Lushnja i ka fituar të gjitha takimet në shtëpi, aty ku mundi edhe dy rivalë të mëdhenj: Kamzën dhe Partizanin, duke shënuar në total 22 gola pa pësuar asnjë. Kulmi: Lushnja-Bilishti 8-0. Ndaj Besëlidhjes luan sezonin e saj dhe nuk i lejohet të gabojë. Partizani luan me “kufje në vesh” në Krujë. Lushnjarët janë të bindur se do ta përfundojnë kampionatin në zonën plejof, pavarësisht se për tu ngjitur në Superlige do tu duhen të përballojnë në ndeshjen “ekstra” ekipin që do të renditet në vendin e nëntë në Kategorinë Superiore.
PARTIZANI-SKRAPARI
Partizani nuk ka më asgjë në dorën e tij. Nëse Elbasani, Lushnja e Kamza fitojnë ndaj kundërshtarëve të tyre, të kuqtë do të luajnë edhe sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Partizani-Skrapari luhet në Krujë. Ndeshja e fazës së parë të fituar në Skrapar nga Partizani përfundoi me fitoren e Partizanit, pikërisht pak ditë pas marrëveshjes Xhani-Laçi-Sallaku, sot e prishur. Skrapari nga ana e tij është në valle për të rënë nga Kategoria, gjithmonë nëse humbet me Partizanin dhe Memaliaj fiton me Sopotin e rënë në të Dytën.
MEMALIAJ-SOPOTI
Një derbi në “klinikë”. Memaliaj me një fitore në shtëpi ndaj Sopotit të rënë nga kategoria mund të përfitojë nga hapat falsë të Skraparit me Partizanin dhe Turbinës me Kamzën.
BURRELI-BILISHTI
Një ndeshje që nuk ka shumë histori, por që mund të komplikohet si për Burrelin ashtu dhe për Bilishtin nëse fiton me Skrapari fit0n me Partizanin dhe Turbina me Kamzën.
GRAMSHI-LUFTËTARI
Gramshi e ka në dorë fatin e tij, ndaj një Luftëtari që kaloi një javë dorëheqjesh e pezullimesh pas humbjes së gjirokastritëve me Kamzën. Gramshiotët entuziastë përballë Luftëtarit në stres.
POGRADECI-ADA
Dy ekipe që ndajnë vendet 6 e 7, me Pogradecin që ka tri pikë më shumë se velipojanët. Një ndeshje e gjitha për të argëtuar publikun e ngrohtë liqenor dhe miqtë e paktë.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›