Dështon Rama, çorientohet protesta

Mbyllet me një kapitullim të turpshëm, ultimatumi i radhës i opozitës së Ramës. Bashkimi i këlyshëve të Bllokut, me fosilet e komunizmit dhe mbeturinat elektorale të zgjedhjeve të fundit është braktisur dje nga qytetarët e Tiranës. Pa entuziazëm e pa mesazhe politike, protesta është çorientuar, sapo është kuptuar se greva e Edi Ramës ka dështuar e se ajo s’ka asnjë perspektivë
Ashtu sikurse edhe ishte parashikuar, protesta e djeshme e opozitës ishte një tjetër dështim për kreun e PS-së, Edvin Kristaq Rama, teksa të mbledhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, as 30 mijë mbështetës nuk i konfirmuan si mbështetës potentë të kauzës së tyre absurde. Një protestë e pro-reklamuar së tepërmi madje shto këtu dhe thirrjet anarshiste të disa bukëshkalëve ish djathtistë, shkoi si mos më keq, duke iu faturuar liderëve të majtë bllofin më të madh që kanë ndeshur ndonjëherë në jetën e tyre politike.
As kjo protestë nuk solli asnjë të re, pavarësisht thirrjeve radikale, tipike të kamikazëve të vendeve aziatike në konflikte të hershme, përveç disa paçavureve të Edvinit për gjoja rezistencë deri në minutën e fundit.
“Do të rezistojmë me kurajo e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule. Kurrë nuk kam besuar tek dhuna dhe kurrë nuk do të dyshoj tek rezistenca paqësore si e vetmja rrugë për t’i hapur rrugë të mirës. Zëri ynë po dëgjohet, kauza jonë po përparon, zgjidhja është sot më afër se asnjëherë në këta 9 muaj”- u shpreh në fjalën e tij, kreu i PS-së Edi Rama.
Kryesocialisti i ndodhur në kushte të vështira si pasojë e akuzave jo vetëm të mazhorancës, por të të gjithë shqiptarëve se me lëvizjet që po demonstron, largon gjithmonë e më shumë Shqipërinë nga Evropa, tha se vendin po e dëmtojnë kutitë e mbyllura, përgjigje kjo që nuk ka asnjë bazë realiteti dhe as nuk përputhet me verdiktin e ndërkombëtarëve, për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Ajo që është e vërtetë dhe s’ka nevojë për shumë komente, është se Edi Rama ndodhet në momente kritike për jetëgjatësinë e tij në politikë, pas dështimeve të njëpasnjëshme, duke u endur sa njëra rrugicë në tjetrën dhe sa njëra çadër në tjetrën.
“Nuk është greva jonë e urisë që ka sjellë thellimin e krizës, por thellimi i krizës që ka sjellë grevën tonë të urisë. Mungesa e normalitetit demokratik të këtij vendi është shkaku i protestave tona. Janë kutitë e mbyllura të zgjedhjeve që e mbajnë Shqipërinë larg Europës”- tha ai.
Protestat e Edi Ramës, janë shumë të lehta për t’u interpretuar dhe aq më të lehta për të zbuluar fodullitetin e tyre, çka vjen si rrjedhojë e mungesës së arsyes, përsa kohë “luftohet”, për një çështje të mbyllur, për një çështje të cilës i është vënë “kapak” një vit më parë, në prezencë serioze edhe të përfaqësuesve të kancelarive perëndimore
Megjithatë, kjo nuk mbyllet me kaq.
Edi Rama pas fjalimit të mbajtur në rrugën e ngushtë të bulevardit u largua menjëherë, duke lënë mbështetësit dhe grevistët e poshtë çadrave, në braktisje të plotë. Megjithëse kishte ardhur koha që protestuesit të shpërndaheshin dhe të drejtoheshin për andej nga kishin ardhur, një pjesë e mirë e tyre me të drejtë kërkuan kryetarin, i cili brenda pak sekondave kishte bështisur nga ambienti i protestës.
Kësisoj, Edi Ramës i është hapur një tjetër front “lufte” këtë radhë me simpatizantët e PS-së, të cilët tashmë po e konsiderojnë si të padenjë për të organizuar tubime, duke rritur kështu kërkesën e llogarisë, për protestën e dështuar dje, e cila mirëfillti shënoi kapitullimin e plotë të opozitës.