Pëllumbi: Deputetët që ikin nga grupi i PS, t’u hiqet mandati
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi gjatë fjalës së tij dje në mbledhjen e asamblesë kombëtare kërkoi ruajtjen kompakte të grupit parlamentar socialist për të bërë të mundur zbardhjen e manipulimeve të bëra në këto zgjedhje nga maxhoranca. Pëllumbi propozoi që të përcaktohet në statut një nen që të detyrojë heqjen e mandatit të deputetit për të gjithë ata deputetë socialistë, që braktisin grupit e tyre parlamentar dhe kalojnë në grupe të tjera. Duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve, Pëllumbi tha se fakti që PS nuk arrin të bëjë mandatet për të krijuar qeverinë, tregon se kemi humbur zgjedhjet. Ai i cilësoi standardet e zgjedhjeve të cunguara për shkak të manipulimeve të bëra në forma nga më të ndryshmet, ndërsa kërkoi një grup pune i cili do të përgatisë të gjithë dosjen me manipulimet zgjedhore për t’ia paraqitur më pas kongresit të jashtëzakonshëm. Mbi këto materiale, sipas Pëllumbit, do të përgatitet dhe strategjia e grupit parlamentar socialist, i cili nuk duhet të braktisë Kuvendin dhe të bëjë hetimin parlamentar të këtyre zgjedhjeve. Profesori i socialistëve e cilësoi debatin e këtyre ditëve të parakohshëm dhe është shprehur se në mënyrë institucionale do të duhej të bëhej një analizë për faktorët dhe shkaqet që çuan socialistët në këtë humbje elektorale, përveç manipulimeve të bëra nga maxhoranca qeverisëse. Nga ana tjetër unë do të thosha që synimi i PS dhe i anëtarësisë duhet të jetë që në krye të PS duhet të jetë ai person që nuk e kthen partinë prapa.