E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta “Rama”, PS s’njeh zgjedhjet

 

Aristir Lumezi

Kryetari i asamblesë kombëtare socialiste tha dje se PS asnjëherë nuk është shprehur për bojkotin e Kuvendit. Në përfundim të mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare Ruçi komunikoi për mediat vendimet e saj. Gjithashtu, kryetari i asamblesë kombëtare komunikoi dhe vendimin tjetër të marrë nga kjo asamble, për thirrjen e kongresit të jashtëzakonshëm të PS, në 29 gusht 2009. Do të jetë ky kongres ku Rama pritet të deklarojë dorëheqjen e tij për humbjen e zgjedhjeve, ndërsa Ruçi tha se Rama ka të drejtë të rikandidojë. Asambleja miratoi rezolutën e Edi Ramës me vetëm 15 vota kundër, ndërsa votat pro nuk arritën të numëroheshin, duke mos hedhur në votim rezolutën e propozuar nga një grup anëtarësh të asamblesë. Në momentin e votimit, nga 165 anëtarë, një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin larguar pas 8 orë diskutimesh në mbledhjen e asamblesë. Kryetari i asamblesë Ruçi, tha dje se rezultati i zgjedhjeve ishte i papranueshëm për standardet e arritura, pasi në to është deformuar vullneti i shqiptarëve. “Ta vlerësojë rezultatin e këtyre zgje-dhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit”, u shpreh Ruçi. Sipas drejtuesit të asamblesë kombëtare, zgjedhjet e 28 qershorit, nuk përmbushën standardet e demokratike evropiane. “Asambleja vendosi të konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi të humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore, standardet demokratike evropiane, si dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke bërë përgjegjës qeverinë e Sali Berishës për një deformim të qëllimshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit të tij”, u shpreh Ruçi. Përmes rezolutës së miratuar dje në asamblenë kombëtare, socialistët shprehen se do të bëjnë transparencën e plotë përmes hetimit parlamentar të manipulimit të këtyre zgjedhjeve. “Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues. Të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si edhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandat politikisht legjitim”, u shpreh drejtuesi i asamblesë kombëtare socialiste. Por në rezolutën e propozuar nga kryetari socialist, legjitimiteti i Parlamentit dhe Qeverisë që do të dalë prej tij konsiderohet i cunguar. “Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim Qeverisë së vendit”, thuhet në vendimin e marrë dje nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Gjithashtu socialistët, nuk do pranojnë asnjë presion për të njohur pa kushte rezultatin e këtyre zgjedhjeve, i cili sipas asamblesë nuk shpreh vullnetin e shqiptarëve.

Rezoluta e miratuar

Të konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi të humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike evropiane, si dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke bërë përgjegjës qeverinë e Sali Berishës për një deformim të qëllimshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit të tij.

Ta vlerësojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit.

Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim Qeverisë së vendit. 

Të distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t’i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të forcës më të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend;

Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues. Të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si edhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandat politikisht legjitim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›